Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur planifikim të vonuar, konkurrencë të kufizuar dhe një konflikt të mundshëm interesi në prokurimin për mirëmbajtjen e autostradave "Ibrahim Rugova" dhe "Arbën Xhaferi".

Një tender prej 15.9 milionë eurosh për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të dy autostradave kryesore të Kosovës është kthyer në objekt kritikash nga auditimi shtetëror. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar një varg mangësish në mënyrën se si Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e ka menaxhuar këtë prokurim, nga planifikimi i vonuar deri te një konflikt i mundshëm interesi.
Gjetjet janë përmbledhur në raportin e auditimit të performancës "Zbatimi i procedurave të prokurimit për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autoudhëve A7 dhe A6 të Republikës së Kosovës për vitet 2025–2028". Bëhet fjalë për autostradën A6 ("Arbën Xhaferi", drejt Ferizajt dhe Shkupit) dhe autostradën A7 ("Ibrahim Rugova", drejt Prizrenit dhe Shqipërisë).
Sipas ZKA-së, procedura me vlerë të parashikuar 15.9 milionë euro për 36 muaj ishte nisur vetëm 36 ditë para skadimit të kontratave ekzistuese, megjithëse ministria e dinte paraprakisht kohën kur mbaronin ato. Për këtë arsye, afati për dorëzimin e ofertave u shkurtua nga 40 në 21 ditë. "Ky përshpejtim nuk kishte arritur rezultatin e synuar, pasi hapja e ofertave ishte shtyrë pesë herë dhe procedura ishte zgjatur për rreth pesë muaj për shkak të kërkesave për rishqyrtim, ankesës në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe korrigjimeve në dosjen e tenderit", thuhet në komunikatën e ZKA-së.
Ngaqë procedura e hapur nuk përfundoi para fillimit të sezonit dimëror, ministria iu drejtua procedurave të negociuara për të garantuar vazhdimësinë e mirëmbajtjes. Përmes katër kontratave gjashtëmujore të negociuara, deri në korrik 2026 ishin paguar rreth 2.8 milionë euro. Auditorët vlerësojnë se përdorimi i këtyre procedurave "kishte kufizuar konkurrencën dhe kishte ofruar më pak transparencë krahasuar me procedurën e hapur".
Mangësi janë konstatuar edhe në vlerësimin e ofertave. Sipas raportit, Komisioni i Vlerësimit në disa raste nuk kishte kërkuar sqarimet e nevojshme për paqartësi teknike, formale apo metodologjike, çka rriti rrezikun që operatorët ekonomikë të mos trajtoheshin plotësisht në mënyrë të barabartë. Ministria nuk kishte analizuar as të gjitha kombinimet e mundshme të ofertave për katër llotet: një kombinim alternativ i identifikuar nga auditimi do të kishte dhënë një çmim të përgjithshëm për njësi rreth 15% më të ulët se ai i kontraktuar, duke i kushtuar ministrisë mundësinë për të realizuar më shumë shërbime brenda të njëjtit buxhet.
Të bien në sy edhe dallimet mes çmimeve të ofertuara dhe atyre referente të vetë ministrisë. Në llotin e tretë, 77 nga 113 pozicione — ose 68% e tyre — ishin ofertuar me çmime mbi 90% më të ulëta se çmimet referente. Në disa raste, pozicione të përllogaritura nga ministria me 180 apo 240 euro ishin ofertuar me vetëm 0.10 euro për njësi.
Elementi më i ndjeshëm i raportit lidhet me integritetin e procesit. ZKA identifikoi rrethana që mund të përbënin konflikt interesi: kryesuesi i Komisionit të Vlerësimit kishte pasur më parë angazhim profesional me operatorin ekonomik që u shpall fitues në njërin prej lloteve. "Ministria nuk kishte bërë vlerësimin apo trajtimin e këtyre rrethanave dhe rasti nuk ishte referuar te autoriteti kompetent, duke krijuar pasiguri lidhur me paanshmërinë dhe besueshmërinë e procesit të vlerësimit", theksohet në komunikatë.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se planifikimi në kohë i procedurave, kritere të qarta dhe vlerësim i dokumentuar i ofertave janë të domosdoshme për konkurrencë të drejtë dhe për vlerë më të mirë të parasë publike. Sipas saj, ministria duhet të forcojë kontrollet në të gjitha fazat e prokurimit, sidomos në analizimin e çmimeve, përzgjedhjen e kombinimit më ekonomik dhe parandalimin e rrethanave që krijojnë konflikt interesi.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit dhe është zotuar se do t'i zbatojë rekomandimet e dhëna. Për të përmirësuar procesin e prokurimit dhe përdorimin e fondeve publike, ZKA i ka dhënë ministrisë shtatë rekomandime.
Në rastin e dytë ku Hashim Thaçi akuzohet për ndërhyrje në drejtësi, koha e fjalëve përfundimtare është ndarë me minuta: tri orë për Prokurorinë Speciale, dy orë për mbrojtjen e Thaçit. Seancat mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026.

