Një mbledhje e ish-komandantëve të UÇK-së në Drenicë, në shtëpinë e Sami Lushtakut, ndodh vetëm 72 orë para vendimit të Gjykatës Speciale për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Drenica u bë sonte vendtakim i një grupi ish-komandantësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbledhur te ish-komandanti Sami Lushtaku. Momenti nuk është i rastësishëm: vetëm 72 orë e ndajnë Kosovën nga vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për katër krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Qëllimi i takimit ende nuk dihet. Nga mbledhja nuk ka dalë deri tani ndonjë qëndrim publik i pjesëmarrësve.
Grumbullimi vjen një ditë pasi qytetarë të Kosovës dolën në protestë në Prishtinë, ku kërkuan liri për çlirimtarët. Të katër të akuzuarit presin vendimin e gjykatës me seli në Hagë, e cila gjykon çështjet e ngritura ndaj tyre.
Emisari amerikan Richard Grenell ka dalë publikisht në mbrojtje të Hashim Thaçit pak para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, duke sulmuar prokurorin Jack Smith dhe duke pretenduar se ish-presidenti i Kosovës gëzon përkrahje nga të dyja partitë amerikane.

