Organizatorët e "Marshit për Liri" në Prishtinë thonë se rreth 100 mijë qytetarë mbushën kryeqytetin katër ditë para aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Kërkesa e tyre për 16 shtatorin: lirim.

Pas mbylljes së "Marshit për Liri" në Prishtinë, platforma qytetare "Liria ka Emër" doli me një mesazh falënderimi dhe me një shifër: rreth 100 mijë pjesëmarrës. Numri është vlerësim i vetë organizatorëve dhe nuk është konfirmuar nga asnjë vlerësim zyrtar i publikuar.
"Platforma Liria ka Emër" falënderon nga zemra rreth 100 mijë qytetarë që sot iu bashkuan Marshit për Liri në Prishtinë, duke e shndërruar kryeqytetin në një zë të fuqishëm për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës. Qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, nga çdo komunë e Kosovës, si dhe bashkatdhetarë nga diaspora, marshuan sot së bashku, pa dallime, me një mesazh të vetëm: Liri për çlirimtarët! Falënderojmë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, bashkëluftëtarët, qytetarët, diasporën, artistët, sportistët, përfaqësuesit politikë, organizatat, bizneset, mediat, vullnetarët dhe secilin që kontribuoi që ky marsh të ishte një manifestim i madh, paqësor dhe dinjitoz. Sot Kosova dëshmoi edhe një herë se kur bëhet fjalë për lirinë, për UÇK-në dhe për njerëzit që morën përgjegjësinë për vendin në ditët më të vështira të historisë sonë, ne dimë të bëhemi bashkë. Marshi i sotëm ishte një mesazh i fuqishëm solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, por mbi të gjitha ishte një mesazh për të vërtetën, drejtësinë dhe historinë e Kosovës. Tani sytë e Kosovës janë drejt 16 shtatorit. Atë ditë, kërkesa jonë është e qartë: Liri për Hashim Thaçin. Liri për Kadri Veselin. Liri për Jakup Krasniqin. Liri për Rexhep Selimin. Kosova ka pritur gjatë. Sot, rreth 100 mijë qytetarë folën me një zë. Në emër të popullit, shpalleni TË PAFAJSHËM! Faleminderit Kosovë. Faleminderit diasporë. Faleminderit secilit që marshoi për lirinë. Kosova po pret. Liria ka emër", thuhet në reagimin e platformës.
Marshi u zhvillua katër ditë para shpalljes së aktgjykimit përfundimtar ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Në sheshin "Skënderbeu" ishte ngritur një skenë ku u mbajtën fjalime dhe performanca, ndërsa sheshi ishte mbushur me njerëz, ngjashëm si sheshi "Nëna Terezë" dhe ai "Zahir Pajaziti". Mes pjesëmarrësve kishte përfaqësues të partive politike, veteranë të luftës, familjarë të të akuzuarve dhe të dëshmorëve të luftës.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha nga skena se veteranët dhe familjet e tyre kërkojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm, duke paralajmëruar se një "proces i padrejtë" do t'i shërbente vetëm Serbisë dhe Rusisë. "Liria e Kosovës u fitua me mund e sakrificë. Asnjë sallë e gjyqit nuk mund ta fshijë këtë të vërtetë", tha ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se vendimi i 16 shtatorit nuk do të pranohet nëse është "i padrejtë". "Prandaj atyre që marrin vendimet, nga ky shesh u themi 'mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator'", tha Hamza. Para tij, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, tha se katër ish-krerët e UÇK-së kishin luftuar për lirinë e Kosovës dhe se tani ka ardhur koha që atyre t'u shprehej mirënjohje. "Askush kurrë nuk do të arrijë ta ndotë tregimin tonë për liri", tha ai.
Pas përfundimit të marshit, edhe Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media, falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit për mesazhin e dërguar.
Procesi gjyqësor ka hyrë në fazën e tij përfundimtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin si datë të shpalljes së aktgjykimit, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit. Prokuroria e përfundoi paraqitjen e rastit në prill 2025, mbrojtja e mbylli rastin në dhjetor të po atij viti, ndërsa deklaratat përmbyllëse u mbajtën në shkurt 2026. Shpallja e verdiktit fillimisht ishte paraparë më herët gjatë vitit, por në korrik Dhomat e Specializuara njoftuan datën 16 shtator, duke e arsyetuar shtyrjen me kompleksitetin e rastit dhe vëllimin e madh të provave.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale për krime të kryera në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë gjatë periudhës së luftës. Aktakuza përmban gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte, ndërsa prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar. Të katër i kanë mohuar të gjitha akuzat dhe nuk janë shpallur fajtorë nga asnjë gjykatë.
Tubimi i kësaj të diele nuk është i pari i këtij lloji. Në prill 2023, një ditë para nisjes së gjykimit, mijëra qytetarë marshuan në Prishtinë në mbështetje të katër të akuzuarve, duke e cilësuar procesin si të padrejtë. Një prej tubimeve më të mëdha të viteve të fundit u mbajt më 17 shkurt 2026, në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kur mijëra qytetarë morën pjesë në marshin "Drejtësi, jo politikë".
Emisari amerikan Richard Grenell ka dalë publikisht në mbrojtje të Hashim Thaçit pak para shpalljes së aktgjykimit në Hagë, duke sulmuar prokurorin Jack Smith dhe duke pretenduar se ish-presidenti i Kosovës gëzon përkrahje nga të dyja partitë amerikane.

