Gruaja 49-vjeçare u gjet e vdekur të dielën në mbrëmje, pak pasi ishte paraqitur në Polici si viktimë e dhunës në familje. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili ndodhet në arrati.

Një grua 49-vjeçare është gjetur e vdekur të dielën në mbrëmje në shtëpinë e saj në fshatin Vitomiricë të Pejës, pak pasi ishte paraqitur në Polici si viktimë e dhunës në familje. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, i cili, sipas Policisë së Kosovës, ndodhet në arrati.
Sipas Policisë, rreth orës 19:00 Stacioni Policor në Pejë ishte njoftuar për një rast të dhunës në familje në këtë fshat. Gruaja ishte shoqëruar në stacion, ku ishte intervistuar, ndërsa bashkëshorti i saj ishte arrestuar dhe ishte ndaluar në mbajtje për 48 orë. Pas intervistimit, ajo ishte dërguar në shtëpi me vullnetin e saj.
Rreth orës 21:10, Policia u njoftua se gruaja ishte gjetur pa shenja jete dhe ekipi mjekësor konstatoi vdekjen. "Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e goditjeve me një mjet të fortë", thuhet në njoftimin e Policisë.
Në vendngjarje dolën njësitë e Policisë, kryeprokurorja dhe prokurorja e Krimeve të Rënda, konfirmoi zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë. "Ka ndodhur një vrasje", deklaroi ai. Policia thotë se po ndërmerren veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe për lokalizimin e arrestimin e të dyshuarit.
Tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, gruaja, të cilën Prokuroria e identifikon me inicialet A.Z., i kishte dorëzuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë një parashtresë të shënuar si urgjente. Në letrën, të cilën e siguroi Sinjali, ajo kërkonte ekzekutimin e menjëhershëm të një vendimi gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në detyrë, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale. "Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime", shkruante ajo.
Prokuroria Themelore në Pejë konfirmoi të hënën se e kishte pranuar parashtresën dhe se kryeprokurorja kishte urdhëruar regjistrimin e saj, për të vlerësuar nëse ka përgjegjësi penale për veprën "Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar". Sipas Prokurorisë, parashtresa iu përcoll për trajtim urgjent Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatës Themelore në Pejë, Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrës për Punë Sociale. Prokuroria thotë gjithashtu se vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë ishte ekzekutuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë, dhe se rrethanat e rastit, përfshirë veprimet e institucioneve, do të trajtohen sipas procedurave ligjore.
Një avokate, e cila thotë se gruaja i ishte drejtuar për ndihmë, shkroi në Facebook pak pas vrasjes se viktima i ishte përgjëruar të bënte gjithçka për ta ndihmuar dhe se u vra me sëpatë. Avokatja akuzoi institucionet e shtetit se kishin dështuar ta mbronin dhe paralajmëroi se do t'i publikojë dëshmitë për rastin.

I dyshuari është nga komuna e Deçanit. Në njoftimin e fundit të Policisë, ai ndodhej ende në arrati.
Pas 50 vitesh në Kosovë, një familje nga Gjilani po largohet përgjithmonë. Vajza e tyre e mitur u rrah brutalisht nga bashkëmoshatare, ndërsa prindërit akuzojnë shkollën, shërbimet sociale dhe gjykatat se e lanë vetëm.

