E njëjta kompani, i njëjti produkt, por 140 euro diferencë për ton mes dy komunave. Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e përdor këtë rast për të kërkuar hetim mbi mijëra kontrata njëburimore të lidhura nga institucionet publike.

Komuna e Podujevës pagoi 520 euro për një ton pelet. Komuna e Graçanicës, sipas të njëjtit pretendim, pagoi 380 euro për të njëjtin produkt, nga e njëjta kompani. Këtë diferencë prej 140 eurosh për ton e ka nxjerrë në pah deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e cila kërkon hetim për kontratat njëburimore që lidhin organizatat buxhetore në Kosovë.
Sipas Bajramit, dallimi lind nga mënyra e prokurimit: Podujeva e ka blerë peletin përmes një kontrate të negociuar, ndërsa Graçanica përmes një tenderi të hapur.
"Rasti i fundit që ishte në media i furnizimit me pelet nga ana e komunave tregon më së miri dëmet/korrupsionin që bëhet me kontrata njëburimore", ka shkruar ajo në një postim në Facebook.
Në të njëjtin postim, deputetja ka publikuar shifra që i paraqet si të dhëna zyrtare. Nga marsi i vitit 2021 deri në mesin e tetorit të vitit 2026, sipas saj, janë lidhur gjithsej 2 mijë e 913 kontrata njëburimore, me vlerë 359 milionë euro. Prej tyre, 1 mijë e 706 janë kontrata të lidhura për herë të parë, në vlerë prej 304 milionë eurosh, ndërsa 1 mijë e 207 të tjera janë aneks-kontrata, me vlerë 55 milionë euro.
Bajrami e ka lidhur drejtpërdrejt çështjen e prokurimit publik me paratë e taksapaguesve dhe ka shënjestruar veçanërisht kontratat që, sipas saj, janë lidhur pa miratimin paraprak të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
"Të gjitha kontratat që janë lidhë pa aprovim paraprak nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik janë vjedhje me letra e taksave të qytetarëve të këtij vendi, taksave edhe të atyre që shteti s’po ua siguron barnat për trajtimin e sëmundjes së kancerit. Përgjegjësi!", ka shkruar ajo.
Pretendimet e deputetes mbeten akuza politike, ndërsa ende nuk dihet nëse ndonjë organ hetimor ka nisur verifikimin e tyre.
Ndërsa Serbia voton, policia e misionit evropian në Kosovë ka shtuar praninë e saj pranë pikave kryesore të kalimit kufitar. EULEX e ka bërë këtë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

