Udhëtim falas deri në Serbi dhe 100 euro në dorë, por vetëm pasi të jetë hedhur vota për partinë e Vuçiqit. Pjesëtarë të komunitetit RAE dhe serbë nga Kosova flasin, pa u identifikuar, për presione, kushtëzime me ndihma dhe shantazhe.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Nga 100 euro për çdo votë për Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe shpenzimet e udhëtimit të mbuluara deri në Serbi. Kjo është oferta që, sipas pjesëtarëve të komunitetit RAE (rom, ashkali dhe egjiptian) dhe qytetarëve serbë nga Kosova, po u bëhet votuesve gjatë zgjedhjeve në Serbi.
Të intervistuarit, të cilët folën për agjencinë KosovaPress në kushte anonimiteti, thonë se po përballen me presione dhe kushtëzime për ta mbështetur partinë e Vuçiqit. Pretendimet e tyre nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Një nga pikat e nisjes, sipas tyre, është Plemetini, prej nga po organizohet transport i paguar drejt Serbisë. Një banor tregon se një autobus që kishte çuar grupin e parë të komunitetit është kthyer për të marrë grupin e dytë. Sipas tij, udhëtimi u paguhet, ndërsa paratë e premtuara, nga 100 euro për person, pretendohet se jepen vetëm pasi të ketë përfunduar votimi.
Presioni nuk kufizohet te paratë. Burime brenda institucioneve të sigurisë pretendojnë se ka raste kur serbët që jetojnë në Kosovë po kushtëzohen me ndihmat që marrin, ndërsa ndaj tyre ushtrohen presione dhe shantazhe për të votuar për SNS-në.
"Paratë për këto pagesa janë siguruar nga Milan Radoiçiq. Mesazhet kërcënuese, presionet dhe shantazhet ndaj votuesve në Kosovë po përcillen nga struktura ilegale serbe dhe përfaqësues të Listës Serbe", thuhet në deklaratën e atribuuar këtyre burimeve.
Sipas të njëjtave burime, këto struktura po thirren në emër të Radoiçiqit dhe të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Në organizimin e procesit, si në Serbi ashtu edhe në zonën kufitare, pretendohet se janë përfshirë pjesëtarë të një grupi të lidhur me Radoiçiqin, të cilit i referohen si "MC".
Votuesve, sipas pretendimeve, u është shpjeguar si të votojnë dhe u është thënë se ekzistojnë mekanizma për të verifikuar nëse vota e tyre ka shkuar vërtet për SNS-në.
Shqetësimet për regjistrin e votuesve të Serbisë janë ngritur edhe më herët. Burimet e cituara flasin për një rritje prej më shumë se 20 mijë personash të regjistruar si votues nga Kosova, një bazë që, sipas tyre, Vuçiqi po e shfrytëzon për të mobilizuar mbështetje për SNS-në, në një kohë kur në Serbi është zhvilluar lëvizja studentore që kërkon ndryshime politike.
Ndërsa Serbia voton, policia e misionit evropian në Kosovë ka shtuar praninë e saj pranë pikave kryesore të kalimit kufitar. EULEX e ka bërë këtë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

