Pas 50 vitesh në Kosovë, një familje nga Gjilani po largohet përgjithmonë. Vajza e tyre e mitur u rrah brutalisht nga bashkëmoshatare, ndërsa prindërit akuzojnë shkollën, shërbimet sociale dhe gjykatat se e lanë vetëm.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Pas gjysmë shekulli jetë në Gjilan, një familje ka vendosur të largohet përfundimisht nga Kosova. Shkak është rrahja brutale e vajzës së tyre të mitur nga bashkëmoshatare të së njëjtës shkollë dhe, sipas tyre, një zinxhir institucionesh arsimore, sociale dhe të drejtësisë që nuk e trajtuan rastin siç duhej.
Sulmi ndodhi në gusht të vitit 2025. Dhuna u filmua dhe pamjet u shpërndanë. Kur nisi viti i ri shkollor, vajza u gjend sërish brenda mureve të shkollës fillore ku vijonin mësimin edhe vajzat që e kishin sulmuar. Për familjen, kjo e rëndoi edhe më shumë përjetimin e traumës, të cilën, sipas tyre, e mitura nuk arriti ta kapërcejë.
Babai i së miturës, i cili ka punuar në Gjilan si punonjës arsimi dhe si muzikant, thotë se largimi i ka kushtuar gjithë familjes: bashkëshortja e tij, farmaciste me gradë magjistre, ka lënë punën dhe profesionin, djali ka braktisur studimet, ndërsa vajza ka lënë shkollën. "Traumat dhe lëndimet janë të pashërueshme dhe të përjetshme", tha ai.
Sipas tij, asnjë nga institucionet komunale dhe qendrore nuk mori masat e duhura për mbrojtjen e vajzës. "Nëse flisni për Ministrinë e Arsimit, absolutisht jo. Me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan kemi pas një takim të pafrytshëm, trajtim jo profesional, nuk e kanë trajtu asnjëherë rastin me seriozitet", deklaroi ai.
Shkolla e mbron qasjen e saj. Në një përgjigje me shkrim, drejtori i shkollës, Liridon Salihu, shpjegoi hapat e ndërmarrë: "Psikologia e shkollës ka qenë në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me aktorët përkatës dhe ka zhvilluar aktivitete mbështetëse dhe ndërgjegjësuese me nxënësit. Në rastet kur prindërit kanë kërkuar trajtim të jashtëm profesional, shkolla ka respektuar kërkesën e tyre. Me kërkesë të prindërve, njëra nga nxënëset është transferuar në një institucion tjetër arsimor, ndërsa nxënëset e tjera vazhdojnë shkollimin në shkollën tonë".
Ish-drejtori i Arsimit në Gjilan, Shpend Nuhiu, tha në një bisedë telefonike se ishte njoftuar për këto masa, por nuk pohoi që për të miturën të ishte caktuar një psikolog i rregullt.
Kritikat e familjes shtrihen edhe te Qendra për Punë Sociale në Gjilan. "Ka pas një psikologe të caktume nga Qendra për Punë Sociale, ata janë llafaxhi të mëdhenj, premtojnë shumë, nuk munden me realizu asnjë gjë, d.m.th. punët i bëjnë sipërfaqësisht. Të gjitha i kemi bë në mënyrë private, edhe vizitat te mjeku edhe gjithçka tjetër", tha babai. Qendra nuk pranoi të flasë para kamerës; me email u përgjigj se do të reagojë brenda afateve ligjore, por nuk dha shpjegime për masat e marra. Drejtoria për Mirëqenie Sociale mbajti qëndrim të rezervuar, ndërsa Ministria e Arsimit nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e reportazhit.
Rasti kaloi edhe në gjykatë. Gjykata Themelore e Gjilanit fillimisht u shqiptoi dy të miturave masën edukative institucionale të dërgimit në institucion edukativo-korrektues për një vit e gjashtë muaj, kurse të miturës së tretë një masë me kohëzgjatje prej një viti. Gjykata e Apelit e ktheu çështjen në rivendosje dhe, pas rishqyrtimit, masa u zbut në mbikëqyrje të shtuar nga ana e prindit për një periudhë të caktuar.
Familja e sheh edhe këtë vendim si dështim. "Edhe gjykatat në Kosovë janë të korruptuara fatkeqësisht, edhe nga politika, edhe nga njerëzit që punojnë në Gjykata", pretendon ajo, pa paraqitur prova konkrete për këtë akuzë.
Specialistja e psikologjisë klinike, Violeta Zefi, paralajmëron se "pasojat mund të jenë shumë serioze". Sipas saj, nevojitet një vlerësim i detajuar i dëmeve psikologjike, mbi bazën e të cilit të përcaktohet trajtimi, ndërsa po aq e rëndësishme është mënyra si trajtohen vajzat që ushtruan dhunën, në mënyrë që një akt i tillë të mos përsëritet.
Rasti i Gjilanit prek një plagë më të gjerë. Një studim i UNICEF-it ka konstatuar se Kosovës i mungojnë shërbime thelbësore për fëmijët viktima, si strehimoret dhe linjat funksionale të raportimit, ndërsa shkollave u mungojnë psikologët.
Një shtetas kosovar, i kërkuar ndërkombëtarisht nga Gjermania për tri vepra penale, ka përfunduar në pranga në Turqi. Sipas Ministrisë së Brendshme turke, arrestimi u bë me koordinimin e Interpolit, Europolit dhe shërbimit turk të inteligjencës.

