Një gjykatë në Gjakovë ka shpallur fajtor një burrë që godiste, shtynte dhe kanoste nënën e tij të moshuar në shtëpinë e tyre — edhe pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje.

Një burrë nga fshati Novosellë e Epërme e Gjakovës është dënuar me një vit e tre muaj burgim dhe 500 euro gjobë pasi u shpall fajtor për dhunën e ushtruar ndaj nënës së tij të moshuar, të cilën e kishte sulmuar edhe pas lëshimit të një urdhri për mbrojtje.
Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti i Përgjithshëm e ka shpallur fajtor të pandehurin M.D. për tri vepra penale: "Dhuna në familje", "Mospërfillja e gjykatës" dhe "Lëndimi i lehtë trupor". Vendimi u mor nga gjyqtarja Blerina Kurtaj pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor. Në dënimin me burgim do t'i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, duke nisur nga 17 shkurti 2026.
Sipas aktgjykimit, dhuna kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me ushqimet. I pandehuri e kishte ofenduar dhe shqetësuar emocionalisht nënën e tij, R.D., duke hedhur dhe shkelur me këmbë gjërat ushqimore, ndërsa kishte tentuar edhe ta kapte për ta goditur. "E dëmtuara, nga frika, ishte mbyllur në dhomë dhe kishte njoftuar policinë", thuhet në njoftimin e gjykatës.
Megjithatë, pavarësisht urdhrit për mbrojtje, ai i kishte përsëritur veprimet e dhunshme, duke i shkaktuar nënës shqetësim të madh emocional.
Rasti kishte kulmuar më 17 shkurt 2026, rreth orës 12:00. Pas një konflikti tjetër, M.D. e kishte sulmuar nënën e tij duke e goditur me shuplaka dhe duke e shtyrë. Nga shtytja, e dëmtuara kishte rënë mbi tavolinë dhe kishte lënduar dorën e majtë. Kur ajo kishte kërkuar ndihmë për t'u ngritur, për shkak të moshës dhe problemeve me gjunjë, ai e kishte goditur me shkelm në trup.
Sipas gjykatës, më pas i pandehuri kishte marrë një hekur që përdoret për ndezjen e prushit dhe e kishte kanosur me fjalët: "Të ka ardhur momenti i fundit". Si pasojë e sulmit, e dëmtuara kishte pësuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.
Kundër aktgjykimit palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të tij në formë të shkruar.
Në rastin e dytë ku Hashim Thaçi akuzohet për ndërhyrje në drejtësi, koha e fjalëve përfundimtare është ndarë me minuta: tri orë për Prokurorinë Speciale, dy orë për mbrojtjen e Thaçit. Seancat mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026.

