Një mosmarrëveshje familjare në Prizren përfundoi me një sulm me skalpel në qafë dhe në sup. I akuzuari u përgjigj shkurt para gjyqtares: "Po e pranoj dhe i kërkoj falje."

Ferdi Mazreku ka pranuar në gjykatë se qëndron pas sulmit me skalpel ndaj kunatit të tij, Astrit Hasanaj, një ngjarje që sipas prokurorisë ndodhi në shkallët e një ndërtese banimi në Prizren, pas një përplasjeje familjare.
Në seancën e mbajtur të premten, më 21 gusht 2026, në Gjykatën Themelore në Prizren, gjyqtarja Sadije Selmani e pyeti të akuzuarin lidhur me akuzën për "vrasje në tentativë". Përgjigjja e Mazrekut ishte e shkurtër: "Po e pranoj dhe i kërkoj falje", tha ai.
Prokurorja Arjana Shajkofci nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë, duke vlerësuar se ai ishte bërë në mënyrë të vetëdijshme dhe pas konsultimit me avokatin. Megjithatë, ajo i kërkoi gjykatës që gjatë vendimmarrjes të marrë parasysh rrethanat rënduese të përshkruara në aktakuzë. Nga ana e tij, avokati mbrojtës Gent Gjini kërkoi që pranimi i fajësisë, pendimi, kërkimfalja, mungesa e dënimeve të mëparshme dhe gjendja familjare e të akuzuarit të vlerësohen si rrethana lehtësuese në caktimin e dënimit.
I dëmtuari Astrit Hasanaj, i pyetur nga gjyqtarja, nuk pati kundërshtime ndaj pranimit të fajësisë, por kërkoi që i akuzuari ta kompensojë dëmin e shkaktuar. Pasi vlerësoi se pranimi ishte bërë vullnetarisht, me vetëdije dhe në përputhje me ligjin, gjyqtarja Selmani e aprovoi atë. Aktgjykimi do të shpallet më 24 gusht 2026.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, ngjarja ndodhi më 24 maj 2026. Atë ditë, Hasanaj kishte shkuar në banesën e Mazrekut bashkë me babanë e tij, D.H., dhe motrën, F.H. — e cila është bashkëshortja e të akuzuarit — për të biseduar rreth mosmarrëveshjeve që Mazreku kishte me gruan e tij.
Prokuroria pretendon se, pas një konfrontimi verbal, familjarët ishin larguar nga banesa dhe po zbrisnin shkallët drejt daljes. Kur kishin arritur në pushimoren e shkallëve, pa mbërritur ende në katin përdhesë, Mazreku dyshohet se u kishte ardhur nga prapa dhe e kishte sulmuar Hasanajn me një mjet prerës-shpues — një skalpel. Sipas aktakuzës, Hasanaj u godit në pjesën e majtë të qafës dhe në rajonin e supit të majtë, pjesë që konsiderohen vitale të trupit.
Pas sulmit, i dëmtuari mori trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Lëndimet janë konstatuar edhe në akt-ekspertimin mjeko-ligjor të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, të datës 14 korrik 2026.
Sipas prokurorisë, me këto veprime Mazreku me dashje kishte filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes, por nuk e kishte përfunduar atë — arsye për të cilën akuzohet për "vrasje në tentativë".
Në rastin e dytë ku Hashim Thaçi akuzohet për ndërhyrje në drejtësi, koha e fjalëve përfundimtare është ndarë me minuta: tri orë për Prokurorinë Speciale, dy orë për mbrojtjen e Thaçit. Seancat mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026.

