Bashkëshorti i gruas së vrarë në Vitomericë të Pejës do të qëndrojë një muaj pas hekurave, i dyshuar se shkeli urdhërmbrojtjen e gjykatës. Ndërkohë, një organizatë feministe paralajmëron bllokimin e institucioneve në Prishtinë ditë pas dite.

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj J.S., bashkëshortit të Arlinda Zekajt, gruas që u vra në Vitomericë të Pejës. I pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale "Mospërfillja e gjykatës". Vendimi vjen në ditët kur zemërimi për vrasjen po kthehet në thirrje për protesta të përditshme para institucioneve në Prishtinë.
Kërkesën për masën e sigurisë e paraqiti Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ndërsa gjyqtarja e procedurës paraprake e aprovoi. Vepra për të cilën dyshohet J.S. parashihet në nenin 393, paragrafi 1, të Kodit Penal të Kosovës, ndërsa paraburgimi u caktua në bazë të nenit 184, paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, të Kodit të Procedurës Penale. Masa llogaritet nga 25 tetori 2026, ora 20:00, deri më 24 nëntor 2026, ora 20:00. Palët mund të ankohen brenda 48 orëve nga marrja e aktvendimit, në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Pejë.
Në qendër të rastit është një urdhërmbrojtje. Zekaj e kishte marrë atë nga Gjykata Themelore në Pejë, me kushtin që bashkëshorti të mos i afrohej më afër se dy metra në shtëpinë ku jetonin bashkë. Raportohet se ditën e vrasjes J.S. u arrestua pikërisht sepse nuk e kishte respektuar këtë vendim, ndërsa ajo shkoi të jepte deklaratë në Polici.
Sipas raportimeve, menjëherë pasi u kthye në shtëpi, gruaja u vra. I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, A.S., i cili ndodhet në arrati që nga ajo ditë. Nuk është bërë e ditur publikisht nëse ka ndonjë zhvillim në kërkimin e tij.
Arlinda Zekaj u varros në Radafc të Pejës. Në ditën e lamtumirës, në vend u ngritën zëra që kërkojnë dorëheqje dhe llogaridhënie nga ata që, sipas tyre, e shpërfillën kërkesën e viktimës për t'i mbrojtur jetën.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për revoltë kombëtare për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave në Kosovë. Protesta e parë është paralajmëruar për të mërkurën, në orën 16:00, në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, prej nga protestuesit pritet të marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.
Në njoftimin e publikuar në Facebook, organizata i akuzon institucionet për shpërfillje të jetës së grave: "Vrasja me sopatë e një gruaje prej kunatit mbrëmë është alarmi për luftën që u është shpallur grave. Sikurse rastet e tjera të femicidit, kjo vrasje ishte paralajmëruar nga e ndjera, e cila e kishte lutur për ndihmë një shtet që është shndërruar për vite me radhë në bashkëdoras në vrasjen e grave. Arlinda Zekaj u vra me ndërmjetësim të shtetit i cili nuk u beson grave, i përbuz, i neglizhon ato dhe vazhdon t’i shohë parësisht si prona të burrave".
Sipas Kolektivit, dhuna ndaj grave ushqehet nga patriarkia në shoqëri dhe nga neglizhenca institucionale, për të cilën kërkon llogari. Protesta nuk do të mbetet njëditore: "Andaj, të mërkurën, të enjten, të premten e ditët në vijim, ne do të dalim rrugëve, e do të bllokojmë institucione sepse është momenti i fundit që ky shtet të japë llogari. Nisemi prej sheshit Zahiri, te Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e deri te Qeveria".
Organizata u ka bërë thirrje qytetarëve të organizohen e të solidarizohen në shkallë kombëtare, duke u kërkuar institucioneve të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Një rresht në CV-në e presidentes së Gjykatës Speciale flet për specializim në drejtësi penale në Moskë. Gjykata e zbret atë në dy qëndrime njëmujore kërkimore, të financuara nga vetë gjyqtarja.

