Gjykata në Romë e dënoi me burgim të përjetshëm Mark Antony Samson, i cili pranoi se vrau me thikë studenten shqiptare 22-vjeçare dhe e hodhi trupin e saj në një humnerë. Prindërit e saj thonë se dënimin e vërtetë të përjetshëm e mbajnë ata.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Burgim i përjetshëm. Ky është vendimi i gjykatës në Romë për Mark Antony Samson, 24-vjeçarin që pranoi se vrau me thikë ish-të dashurën e tij, studenten shqiptare 22-vjeçare Ilaria Sula, dhe më pas e fshehu trupin e saj në një humnerë jashtë qytetit.
Vendimi i shkallës së parë u shpall nga Gjykata e Tretë e Krimeve të Rënda në Romë, në sallën e gjyqit të burgut Rebibbia. Samson nuk ishte i pranishëm kur u lexua dënimi. Ai akuzohej për vrasje me rrethana rënduese, përfshirë paramendimin, si dhe për fshehjen e kufomës.
Krimi ndodhi më 25 mars 2025. Sipas hetimeve, Samson e goditi të renë tri herë me thikë në fyt. Pas vrasjes, ai e futi trupin e saj në një qese dhe e hodhi në një humnerë në zonën e Capranica Prenestina, pranë Romës. Trupi i pajetë u gjet më 2 prill 2025.
Gjatë marrjes në pyetje, 24-vjeçari e pranoi krimin, por tha se nuk arrinte ta shpjegonte atë që kishte ndodhur në ato momente. "Nuk di ta shpjegoj se çfarë më ndodhi. Ishte sikur një perde të më kishte rënë para syve. Ndjeja një përzierje emocionesh negative. Nuk mbaj mend sa herë e godita në fytyrë, por me siguri më shumë se dy herë", kishte deklaruar ai.
Për familjen, vendimi solli drejtësi, por jo lehtësim. Babai i viktimës, Flamur Sula, foli menjëherë pas shpalljes së dënimit: "Drejtësia u bë, por burgimin e përjetshëm të vërtetë e kemi ne, unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë, ndërsa vajza ime nuk merr më frymë. Ky është një moment i rëndësishëm për drejtësinë. Unë gjithmonë kam pasur besim te drejtësia dhe nuk jam braktisur".
Ai iu drejtua edhe bashkëmoshatarëve të së bijës: "U them miqve të Ilaria-s dhe në përgjithësi të rinjve: respektoni njëri-tjetrin dhe flisni me prindërit tuaj. Mos heshtni".
Nëna, Gëzime Sula, e tronditur, kishte një mesazh të shkurtër për të rinjtë: "Respektoni gratë, duajini ato". Më vonë, mes lotësh dhe e mbështetur te bashkëshorti, shtoi vetëm katër fjalë: "Tani ajo është në paqe".
Një zyrtar policor që dikur hetonte krah për krah me Muharrem Qerimin dëshmoi se ish-kolegu e kërkonte vazhdimisht për takime. Pas arrestimit, ai dyshon se ato takime mund të kenë qenë mbulesë.

