Një zyrtar policor që dikur hetonte krah për krah me Muharrem Qerimin dëshmoi se ish-kolegu e kërkonte vazhdimisht për takime. Pas arrestimit, ai dyshon se ato takime mund të kenë qenë mbulesë.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Një zyrtar policor që dikur kishte punuar në të njëjtin ekip hetimor me Muharrem Qerimin doli sot para gjykatës dhe mohoi prerazi se ish-kolegu i tij të ketë qenë ndonjëherë informator i Policisë së Kosovës. Dëshmia e tij, e identifikuar me inicialet A.K., u dha në seancën e radhës të gjykimit ndaj Bedri Shabanit dhe Qerimit, të cilët akuzohen për veprën penale "Spiunazh".
I marrë në pyetje nga prokurori Bekim Kodraliu, A.K. tregoi se me Qerimin kishte punuar rreth dy vjet, pasi ky i fundit ishte transferuar nga rajoni i Ferizajt në Drejtorinë e Përgjithshme, në Departamentin e Hetimeve në Prishtinë. Pasi Qerimi u largua nga policia, kontakti mes tyre u ndërpre për një kohë të gjatë. Sipas dëshmitarit, takimet rifilluan në vitin 2022.
A.K. shpjegoi se një nga detyrat e tij në polici ishte trajtimi i burimeve të informacionit, dhe se Qerimi i paraqitej gjithnjë me premtimin se kishte diçka për t'i treguar. "Një ndër detyrat e mia ka qenë tregimi i burimit të informacionit. Herë pas here më ka takuar dhe më ka thënë se ka ndonjë informacion. Jo se ka dhënë ndonjëherë shumë informacion ose diçka të veçantë, por zakonisht si arsyetim për takim ka qenë dhënia e informacionit. Kur ka thirrë ka thënë se ka me dhënë diçka. Shumica e informacioneve ose nuk kanë qenë informacione të sakta ose jo të plota për punën. Jo, Muharremi nuk ka qenë informator i Policisë së Kosovës", deklaroi ai.
Dëshmitari përshkroi edhe një bisedë në të cilën, sipas tij, Qerimi u ankua se ai vetë po i tregonte gjithçka, ndërsa zyrtari nuk i tregonte gjithçka në këmbim. A.K. tha se i kishte bërë të qartë se, meqë nuk ishte më pjesë e policisë, nuk mund të bisedonin si më parë, por se nëse kishte diçka për t'ia dhënë policisë, mund ta bënte vetëm si burim i paregjistruar.
Për dyshimet se Qerimi bashkëpunonte me Shërbimin Sekret Serb (BIA), zyrtari policor tha se mësoi vetëm pasi ai u arrestua. "Sa i përket bashkëpunimit të tij me BIA, atë e kam mësuar nga mediat pas arrestimit të tij. Me Muharremin, pas takimit të parë që e kemi bërë pas 10 viteve, ka qenë ai që më ka thirrur, nuk ka qenë asnjë informacion që nuk ka pasur rëndësi. Gjatë kësaj kohe që jemi takuar pas 10 viteve, zakonisht ka qenë insistimi i tij me u taku. Pas arrestimit të tij, kuptova nga mediat për çka akuzohet, ku është një konkluzion i imi që një ndër arsyet që ky ka ardhë me u taku me mua, nëse e ka kryer aktivitetin që akuzohet, ta ketë si mbulesë takimi me mua", tha ai.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e ngritur më 19 shkurt 2025, i ngarkon Shabanin dhe Qerimin me dyshimin se i kanë dhënë shërbimit sekret serb informacione për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, masakrat në Kosovë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës. Të dy të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
Një rresht në CV-në e presidentes së Gjykatës Speciale flet për specializim në drejtësi penale në Moskë. Gjykata e zbret atë në dy qëndrime njëmujore kërkimore, të financuara nga vetë gjyqtarja.

