Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin prej katër vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë ndaj Beqir Hoxhës, të shpallur fajtor për fajde në Prizren, ku sipas aktakuzës viktima kishte paguar dhjetëra mijëra euro kamata për një hua fillestare prej 6 mijë eurosh.

Një hua prej 6 mijë eurosh e marrë në vitin 2016 u shndërrua, sipas prokurorisë, në një zinxhir pagesash kamatore që tejkaluan 78 mijë euro. Gjykata e Apelit ka konfirmuar tani dënimin ndaj Beqir Hoxhës (Beqir Hoxha-Beqa), të shpallur fajtor për veprën penale "Fajde", duke lënë në fuqi dënimin prej katër vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Sipas vendimit, Apeli ka refuzuar si të pabazuara si ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, ashtu edhe atë të mbrojtësit të Hoxhës. Aktgjykimi është ndryshuar vetëm në pjesën që lidhet me kompensimin e dëmit: i dëmtuari, i identifikuar me inicialet F.S., udhëzohet ta realizojë kërkesën pasurore-juridike përmes një kontesti të rregullt civil, ndërsa pjesa tjetër e aktgjykimit ka mbetur e pandryshuar.
Hoxha ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore më 4 qershor 2025, për veprën penale të fajdesë sipas nenit 331, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 22 gushti deri më 10 nëntor 2023, si dhe periudha e arrestit shtëpiak, nga 10 nëntori 2023 deri më 30 dhjetor 2024.
Në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit ka rrëzuar pretendimet e mbrojtjes për shkelje esenciale të procedurës penale dhe për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Sipas kolegjit, shkalla e parë ka dhënë arsye të qarta për faktet e konsideruara të provuara dhe i ka vlerësuar provat në përputhje me dispozitat procedurale. "Fajësia është provuar përtej çdo dyshimi", ka konstatuar Apeli.
Sipas gjykatës, nga dëshmia e të dëmtuarit F.S., dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë dhe provat materiale – përfshirë audio dhe video-incizimet, masat e veçanta hetimore dhe blerjen e simuluar – është vërtetuar përtej çdo dyshimi se Hoxha ka ndërmarrë veprimet për të cilat u shpall fajtor. Kolegji ka vlerësuar se në veprimet e tij janë përmbushur elementet objektive dhe subjektive të veprës penale të fajdesë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, rasti e ka zanafillën në vitin 2016, kur F.S. dhe prindi i tij, të gjendur në vështirësi financiare dhe me nevojë për investime në biznesin familjar, i kishin kërkuar Hoxhës 6 mijë euro. Prokuroria pretendonte se Hoxha kishte mbajtur menjëherë 600 euro si kamatë mujore, ndërsa për çdo muaj vonesë i dëmtuari duhej të paguante po nga 600 euro.
Vetëm nga qershori 2016 deri në prill 2023, sipas aktakuzës, F.S. kishte paguar 49 mijë e 200 euro kamata. Më vonë, i dëmtuari kishte marrë edhe 5 mijë euro të tjera, për të cilat pretendohet se kishte paguar nga 500 euro kamatë në muaj, duke arritur në 29 mijë euro pagesa. Në total, sipas prokurorisë, F.S. kishte paguar 78 mijë e 200 euro vetëm në emër të kamatave. "Nga 6 mijë euro borxh, pretendohen dhjetëra mijëra euro kamata", theksohet në rast.
Sipas aktakuzës, rasti kishte kulmuar më 22 gusht 2023, kur Hoxha kishte marrë edhe 12 mijë e 800 euro, moment në të cilin ishte arrestuar në flagrancë. Apeli ka theksuar se kamata sillej rreth 10 për qind në muaj, ndërsa borxhi kryesor mbetej i pandryshuar. Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se fakti që veprimtaria zhvillohej në mënyrë informale dhe pa dokumentacion financiar nuk mund të interpretohej në favor të të akuzuarit.
Sa i përket masës së dënimit, Apeli ka konstatuar se shkalla e parë ka vlerësuar drejt rrethanat lehtësuese dhe rënduese dhe se dënimi prej katër vjet burgim e 5 mijë euro gjobë është në përputhje me shkallën e përgjegjësisë penale dhe rrezikshmërinë e veprës.
Në rastin e dytë ku Hashim Thaçi akuzohet për ndërhyrje në drejtësi, koha e fjalëve përfundimtare është ndarë me minuta: tri orë për Prokurorinë Speciale, dy orë për mbrojtjen e Thaçit. Seancat mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026.

