Ikën nga veriu i Mitrovicës pas luftës dhe ndërtuan shtëpi në jug të qytetit. Më shumë se dy dekada më vonë, nëntë familje përballen në gjykatë me Infrakos, që thotë se toka është pronë publike.

Për më shumë se dy dekada kanë paguar rrymën, ujin dhe tatimin në pronë. Tani nëntë familje të zhvendosura nga veriu i Mitrovicës duhet të mbrojnë në gjykatë të drejtën për të qëndruar në shtëpitë që ngritën në Zonën Industriale, në jug të qytetit, ku ndërmarrja Infrakos pretendon se parcelat janë të sajat.
Sipas banorëve, ata u vendosën aty ndërmjet viteve 2000 dhe 2003, pasi kishin mbetur pa shtëpitë e tyre në pjesën veriore të qytetit. Njëri prej tyre e përshkruan kështu atë periudhë: "Ne jemi vendosur këtu menjëherë pas luftës, prej vitit 2000 deri në vitin 2003. Këtu i kemi vendosur shtëpitë. Ne këtu jemi krejt të pjesës veriore. Shtëpitë në veri i kemi, dikush banesat e uzurpuara i ka pasur, unë e kam hala pronën e shkatërrume, të kalltë, edhe jemi vendosur këtu sepse nuk kemi pasur ku me shku".
Banorët pohojnë se për vite me radhë askush nuk e kontestoi qëndrimin e tyre dhe se nuk kanë ditur për pretendimet pronësore të ndërmarrjes. Në vitin 2023 ata aplikuan për legalizimin e shtëpive. Një vit më vonë, në vitin 2024, morën njoftimin nga Infrakos: prona duhej liruar brenda 14 ditësh.
Mosmarrëveshja përfshin disa parcela kadastrale. Sipas banorëve, një pjesë e tyre është privatizuar për një periudhë 99-vjeçare, ndërsa për parcelën ku ndodhen shtëpitë ata e kontestojnë pronësinë e ndërmarrjes. "Lëndën në gjyq e ka vendosur Infrakos e tash jemi në proces", tha banori.
Infrakos e sheh çështjen ndryshe. Ndërmarrja deklaron se parcelat kadastrale 02688-4 dhe 02688-1 figurojnë në kadastër të regjistruara në emrin e saj, gjë që sipas saj vërtetohet me certifikatat e pronësisë. Ajo shton se kërkesat për rregullimin e marrëdhënieve juridike me shfrytëzuesit e pronave, si dhe për lirimin e tyre kur nuk arrihet marrëveshje, nuk janë të reja, por datojnë para vitit 2010.
"Infrakos, përmes procedurave ligjore, kërkon lirimin e pronës publike (shtetërore), ndërsa kërkesat tjera aksesore që ndërlidhen me periudhën e shfrytëzimit trajtohen gjatë procedurave ligjore dhe vlerësohen nga Gjykata", thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes.
Sipas Infrakos, banorët janë informuar për statusin juridik të pronës përmes takimeve, komunikimeve verbale dhe njoftimeve me shkrim. Ndërmarrja thotë se vitet e fundit ka shtuar përpjekjet për të identifikuar pronat që shfrytëzohen pa kontrata të vlefshme qiraje dhe për të marrë masa ligjore për mbrojtjen e tyre, duke u mbështetur në nenet 45 dhe 128 të Ligjit për Hekurudhat e Kosovës.
Çështja mbetet në procedurë gjyqësore dhe fati i nëntë familjeve do të varet nga vendimi i institucioneve kompetente.
Për disa netë radhazi, protestuesit në kryeqytet kërkojnë llogari nga shteti për vrasjen e Arlinda Zekajt, gruas që sipas raportimeve kishte kërkuar disa herë mbrojtje nga institucionet. Sonte ata marshuan drejt qeverisë dhe kërkuan sërish dorëheqjen e dy ministrave.

