Ministri i Financave, Hekuran Murati, thotë se paga e 13-të për sektorin publik është e garantuar me Ligjin e Buxhetit. Ai hedh poshtë akuzat se komunat po humbin nga rishikimi i buxhetit.

Paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik do të paguhet në fillim të vitit të ardhshëm. Këtë e ka deklaruar ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili thekson se pagesa është e paraparë me Ligjin e Buxhetit.
Murati kundërshtoi njëkohësisht deklaratat se komunat po penalizohen nga rishikimi i buxhetit. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e fondeve u dedikohet pikërisht atyre. "Gjysma e personelit që paguhet nga buxheti i shtetit është në komuna. Mjetet ndahen proporcionalisht dhe komunave u transferohen fondet për mbulimin e pagës së 13-të dhe përvojës së punës", u shpreh ministri.
Ai kujtoi se paga e 13-të është e paraparë në Ligjin e Buxhetit tash e tre vjet dhe se pagesa e saj për vitin 2026 ishte planifikuar të bëhej në fillim të vitit. Veprimet aktuale, sipas Muratit, përbëjnë vetëm mbulim të hershëm të hendekut buxhetor, në përputhje me parashikimet e ligjit, ndërsa paga e 13-të për vitin e ardhshëm do të paguhet në fillim të vitit 2027.
Ministri lidhi edhe një përfitim tjetër me fatin e rishikimit të buxhetit, i cili ende nuk është miratuar. Nëse ai kalon, tha Murati, punonjësit do të marrin pagesën retroaktive të shtesës prej 0,5 për qind për përvojën e punës, duke nisur nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave e deri në fund të vitit 2025.
Platforma më e madhe e dërgesave ushqimore në Amerikë po gëlltit shërbimin e porosive të ushqimeve në shtëpi, në një marrëveshje 17 miliardë dollarësh. Bashkimi vjen në një kohë kur klientët ankohen për kosto gjithnjë e më të larta dhe kompanitë përballen me hetime për trajtimin e punëtorëve.

