Kosova mund të tërheqë deri në 1,5 miliardë dollarë investime private dhe të hapë deri në 87 mijë vende të reja pune brenda pesë deri në dhjetë vjetëve, por vetëm nëse heq barrierat që sot i mbajnë investitorët larg, vlerëson një raport i ri i Bankës Botërore.

Energjia nga dielli dhe era, shërbimet e biznesit dhe prodhimi i komponentëve për ndërtim janë tri sektorët ku, sipas Grupit të Bankës Botërore, Kosova ka potencialin më të madh për investime private. Në një raport të ri, institucioni financiar ndërkombëtar vlerëson se reformat e synuara në këto fusha mund të mobilizojnë deri në 1,5 miliardë dollarë dhe të krijojnë deri në 87 mijë vende të reja pune gjatë pesë deri në dhjetë vjetëve të ardhshëm.
Raporti analizon gjendjen e sektorit privat dhe pengesat që kufizojnë investimet dhe hapjen e vendeve të punës me paga më të larta. Përfundimi kryesor është se Kosova ka përparësi për investitorët privatë, por barrierat rregullatore dhe mangësitë në funksionimin e tregut nuk lejojnë që ky potencial të shfrytëzohet.
"Për të krijuar vende pune, për të gjeneruar të ardhura vendore dhe për të nxitur rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, Kosova duhet të shfrytëzojë mundësitë e pashfrytëzuara për investime private dhe të heqë barrierat për to", ka deklaruar Carole Megevand, menaxhere e Grupit të Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas saj, qëllimi i raportit është ta ndihmojë Kosovën të përcaktojë cilat reforma duhet t'i japë përparësi për ndikimin më të madh te sektori privat.
Energjia: një miliard dollarë në lojë
Peshën më të madhe financiare e mban energjia e ripërtëritshme. Kosova synon që deri në vitin 2031 burimet e ripërtëritshme të përbëjnë 63 për qind të kapacitetit të instaluar për prodhimin e energjisë elektrike, nga 23 për qind që ishin në vitin 2024.
Për ta arritur këtë objektiv, Banka Botërore thekson se investitorët kanë nevojë për më shumë siguri, sidomos për blerjen e energjisë që prodhojnë. Ajo rekomandon një kalendar shumëvjeçar të ankandeve dhe vënien në funksion të garancive të likuiditetit për KOSTT, operatorin e sistemit të transmisionit, brenda mekanizmit mbështetës për energjinë e ripërtëritshme.
Nëse këto reforma zbatohen, sipas raportit, deri në vitin 2035 mund të mobilizohen rreth një miliard dollarë investime private dhe të krijohen afërsisht 8.300 vende pune. Përveç kësaj, ulja e emetimeve të gazrave serrë mund të arrijë një nivel të barabartë me rreth 24 për qind të emetimeve vjetore të dioksidit të karbonit në Kosovë.
Shërbimet e biznesit: më shumë vende pune
Nëse energjia premton më shumë kapital, shërbimet e biznesit premtojnë më shumë punësim. Ky sektor është zgjeruar gjatë dekadës së fundit, i shtyrë nga kërkesa në Evropë për shërbime të kontraktuara nga jashtë dhe shërbime digjitale.
Rritjen e tij e frenojnë megjithatë rregullativa e punës, mungesa e aftësive profesionale, barriera të tjera rregullatore dhe furnizimi i paqëndrueshëm me energji elektrike. Banka Botërore propozon kërkesa të qarta për kontratat e punës në distancë dhe ato hibride, standardizimin e procedurave të inspektimit të punës dhe njohjen ligjore të nënshkrimeve elektronike në kontratat private tregtare. Me këto ndryshime, sektori mund të tërheqë nga 68 deri në 177 milionë dollarë investime dhe të krijojë nga 32 mijë deri në 46 mijë vende pune.
Prodhimi për ndërtim: lista më e gjatë e pengesave
Sektori i tretë përballet me më shumë probleme njëherësh: qasje e pasigurt dhe e kushtueshme në energji, paqartësi në tregun e tokës, procedura të ndërlikuara për leje ndërtimi, mungesë aftësish, qasje e kufizuar në kapital qarkullues dhe zbatim i dobët i standardeve të produkteve.
Raporti rekomandon një mekanizëm të përshpejtuar për lejet e ndërtimit për qëllime industriale, trajnime praktike në arsimin profesional dhe inspektime të produkteve të bazuara në vlerësimin e rrezikut. Zgjidhja e këtyre problemeve, sipas Bankës Botërore, mund të sjellë nga 187 deri në 296 milionë dollarë investime private, nga 21 mijë deri në 33 mijë vende pune dhe rritje të eksporteve.
Banka Botërore ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën me ekspertizë, financim dhe njohuri.
Rishikimi i Buxhetit 2026 u miratua pa asnjë votë kundër, por vetëm sepse opozita nuk votoi. Para votimit, debati për pagën e 13-të dhe pagesat retroaktive për përvojën e punës u kthye në përplasje të ashpër mes deputetëve opozitarë dhe ministrit të Financave.

