Rishikimi i Buxhetit 2026 u miratua pa asnjë votë kundër, por vetëm sepse opozita nuk votoi. Para votimit, debati për pagën e 13-të dhe pagesat retroaktive për përvojën e punës u kthye në përplasje të ashpër mes deputetëve opozitarë dhe ministrit të Financave.

Kuvendi i Kosovës e miratoi në shqyrtim të dytë rishikimin e Buxhetit për vitin 2026 me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Shifra e pastër ka një shpjegim të thjeshtë: opozita nuk mori pjesë në votim.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore erdhi në seancë me shtatë amendamente. Vetëm dy prej tyre fituan mbështetjen e deputetëve, mes tyre edhe ai për pagën e 13-të. Asnjë nga propozimet e opozitës nuk kaloi.
Në mesin e amendamenteve që ranë ishte edhe propozimi i Komisionit për Mirëqenie Sociale për ndarjen e një milion eurove për mbulimin e protezave për invalidët e luftës.
Votimi u parapri nga një debat i ashpër. Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e quajti propozimin e Qeverisë "mbulesë për 120 milionë euro, për të cilat u vendos në fillim të vitit" dhe pretendoi se ligji ka probleme si në procedurë, ashtu edhe në përmbajtje.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, kërkoi që Ministria e Financave të sqarojë nëse ndryshimet synojnë të mbulojnë pagën e 13-të, e cila ishte ndarë në fillim të këtij viti. Teuta Haxhiu, deputete e Aleancës, i cilësoi ndryshimet si dinakëri të ministrit.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i hodhi poshtë kritikat. Sipas tij, paga e 13-të për vitin 2026 ishte parashikuar në buxhet dhe ishte paguar gjatë vitit. "Paga e 13-të është e paraparë në buxhet dhe është paguar. Kjo që po ndodh është mbulimi i hendekut nga alokimi i parakohshëm, ashtu siç e ka paraparë Ligji i Buxhetit. E paga e 13-të për vitin e ardhshëm paguhet në fillim të vitit të ardhshëm", deklaroi Murati, duke shtuar se ndryshimet lidhen edhe me pagesën retroaktive të përvojës së punës.
Përgjigjja e tij e ndezi më tej sallën. Hoti e akuzoi ministrin për keqpërdorim dhe e quajti gënjeshtar, Haxhiu e cilësoi "mashtrues", ndërsa Bajrami foli për një "keqplanifikim të planifikuar".
Në thelb të rishikimit janë 102 milionë euro. Në shtator, Qeveria kishte miratuar ndryshimet që parashikonin rialokimin e kësaj shume për pagën e 13-të të punonjësve të sektorit publik dhe për pagesat retroaktive të diferencës së shtesës prej 0.5 për qind për çdo vit përvojë pune, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Edhe vitin e kaluar Qeveria kishte ndarë pagën e 13-të për sektorin publik.
Çështja e përvojës së punës nis me Ligjin për Paga të vitit 2022, i cili e uli shtesën për 15 vjetët e parë të përvojës nga 0.5 në 0.25 për qind për çdo vit, duke e lënë 0.5 për qind vetëm pas vitit të 15-të. Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë ndryshim antikushtetues dhe qytetarët nisën të paraqesin padi për kompensimin retroaktiv të diferencës, borxh që rishikimi i miratuar tani synon ta mbulojë.
Platforma më e madhe e dërgesave ushqimore në Amerikë po gëlltit shërbimin e porosive të ushqimeve në shtëpi, në një marrëveshje 17 miliardë dollarësh. Bashkimi vjen në një kohë kur klientët ankohen për kosto gjithnjë e më të larta dhe kompanitë përballen me hetime për trajtimin e punëtorëve.

