Shtetasi iranian i ndaluar në Aeroportin e Prishtinës me një pasaportë belge që nuk ishte e tij tashmë ka parashtruar zyrtarisht kërkesë për azil në Kosovë. Ai u ka thënë autoriteteve se ndihet i kërcënuar në vendlindje.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Rasti i shtetasit iranian të ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës "Adem Jashari" ka marrë një zhvillim të ri: ai ka parashtruar zyrtarisht kërkesë për azil në Kosovë, të cilën po e shqyrton Ministria e Punëve të Brendshme.
Dorëzimin e kërkesës e konfirmoi drejtori i Qendrës për Azil, Fitim Zariqi. "Ka parashtruar kërkesë për azil edhe shqyrtohet kërkesa prej Ministrisë së Punëve të Brendshme", tha Zariqi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, procedura e shqyrtimit mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi edhe për tre muaj të tjerë, edhe pse në praktikë afati është zakonisht më i shkurtër. "Po zakonisht nuk zgjat më shumë se mesatarisht dy muaj e gjysmë, apo tre", theksoi ai.
Iraniani ishte ndaluar gjatë një kontrolli më 18 gusht, kur, sipas Policisë së Kosovës, kishte paraqitur një pasaportë të lëshuar nga Belgjika. Gjatë intervistimit ai pranoi se dokumenti nuk ishte i tij dhe deklaroi se ishte shtetas iranian, pa dokumente personale me vete. Ai u tha autoriteteve se ndihej i kërcënuar në Iran.
Ende nuk dihet nga cili vend kishte udhëtuar drejt Kosovës. Po ashtu mbeten të paqartësuara rrethanat e udhëtimit, statusi i rastit dhe nëse ai po ndiqet penalisht.
Organizatorët e "Marshit për Liri" në Prishtinë thonë se rreth 100 mijë qytetarë mbushën kryeqytetin katër ditë para aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Kërkesa e tyre për 16 shtatorin: lirim.

