Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës largohet nga detyra pasi organet e rendit konfirmuan ndalimin e tij. ShSKUK i quan pretendimet për dhunë në familje dhe kanosje jashtëzakonisht të rënda: "Askush nuk është mbi ligjin".

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se do të procedojë me suspendimin e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, G.B., pasi organet e rendit dhe drejtësisë konfirmuan zyrtarisht ndalimin e tij.
Masa vjen në hijen e pretendimeve për dhunë në familje dhe kanosje, të cilat ShSKUK i ka cilësuar si jashtëzakonisht të rënda. Institucioni bën të ditur se suspendimi do të ndërmerret në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe ritheksoi qëndrimin e tij për zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës. "Askush nuk është mbi ligjin", thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.
Deri tani nuk është bërë publike nëse ndaj drejtorit është ngritur ndonjë akuzë. Pretendimet ndaj tij mbeten të paprovuara para gjykatës dhe ai gëzon prezumimin e pafajësisë.
Ndërkohë, ShSKUK ka garantuar se spitali në Mitrovicë nuk do të mbetet pa drejtim: institucioni thotë se do të sigurojë vazhdimësinë e udhëheqjes dhe funksionimin normal të tij, në mënyrë që pacientët të mos kenë pengesa në marrjen e shërbimeve.
Për disa netë radhazi, protestuesit në kryeqytet kërkojnë llogari nga shteti për vrasjen e Arlinda Zekajt, gruas që sipas raportimeve kishte kërkuar disa herë mbrojtje nga institucionet. Sonte ata marshuan drejt qeverisë dhe kërkuan sërish dorëheqjen e dy ministrave.

