Pesë burra u arrestuan brenda një dite, të dyshuar për dhunë ndaj bashkëshorteve ose ish-bashkëshorteve, ndërsa një i gjashtë ende nuk është gjetur. Në njërin rast, gruaja u kanos nga një ish-bashkëshort që, sipas raportimit, mbante armë zjarri në shtëpi.

Pesë burra janë arrestuar brenda një dite në rajonin e Prishtinës, të dyshuar për dhunë ndaj bashkëshorteve ose ish-bashkëshorteve të tyre, ndërsa një i dyshuar i gjashtë nuk është gjetur ende nga policia.
Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës për periudhën mes 29 dhe 30 tetorit regjistron gjashtë raste të dhunës në familje në këtë rajon. Rastet përfshijnë dhunë psikike, dhunë fizike dhe kanosje, të gjitha ndaj grave me të cilat të dyshuarit janë ose kanë qenë të martuar.
Rasti më shqetësues është raportuar në Prishtinë: një grua është kanosur nga ish-bashkëshorti i saj, i cili, sipas raportimit, posedonte armë zjarri në shtëpi. Policia kreu bastisje, por nuk gjeti asgjë të dyshimtë. I dyshuari u arrestua dhe u dërgua në mbajtje.
Po në kryeqytet, një grua tjetër ka raportuar se kishte përjetuar në vazhdimësi dhunë psikike nga bashkëshorti, me të cilin nuk bashkëjeton prej disa muajsh. Rasti përfshin periudhën nga 22 deri më 30 tetor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Gllogoc, më 30 tetor rreth orës 09:30, policia arrestoi një burrë pasi kishte kanosur bashkëshorten. Edhe ai, me vendim të prokurorit, u dërgua në mbajtje. Të njëjtin fat pati edhe një i dyshuar tjetër në Prishtinë, i cili, sipas raportimit, kishte ushtruar dhunë psikike dhe kishte kanosur bashkëshorten.
I vetmi rast i dhunës fizike në listë ndodhi në Prishtinë, rreth orës 20:00 të 30 tetorit. I dyshuari u arrestua, por pas intervistimit, me vendim të prokurorit, u lirua në procedurë të rregullt.
Në Obiliq, rreth orës 12:15, një grua raportoi se bashkëshorti i saj kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Policia nuk e ka hasur të dyshuarin dhe rasti mbetet në hetim.
Për disa netë radhazi, protestuesit në kryeqytet kërkojnë llogari nga shteti për vrasjen e Arlinda Zekajt, gruas që sipas raportimeve kishte kërkuar disa herë mbrojtje nga institucionet. Sonte ata marshuan drejt qeverisë dhe kërkuan sërish dorëheqjen e dy ministrave.

