Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin ndaj një burri të Prizrenit të shpallur fajtor për fajde. Sipas aktakuzës, viktima kishte paguar dhjetëra mijëra euro kamata, ndërsa borxhi kryesor nuk lëvizte fare.

Katër vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë – ky është dënimi që Gjykata e Apelit ka konfirmuar për një burrë të njohur si Beqir Hoxha, i shpallur fajtor për veprën penale "Fajde". Apeli ka lënë në fuqi pjesën kryesore të aktgjykimit, duke refuzuar si të pabazuara si ankesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, ashtu edhe atë të mbrojtjes.
Sipas aktakuzës, rasti kishte kulmuar më 22 gusht 2023, kur Hoxha kishte marrë 12 mijë e 800 euro dhe ishte arrestuar në flagrancë. Gjykata Themelore e kishte shpallur fajtor më 4 qershor 2025, ndërsa Apeli tashmë e ka vërtetuar këtë vendim.
Historia, sipas prokurorisë, kishte nisur shumë më herët – në vitin 2016. Atë vit i dëmtuari F.S. dhe prindi i tij, të gjendur në vështirësi financiare, kishin marrë 6 mijë euro nga Hoxha. Prokuroria pretendonte se nga kjo shumë Hoxha kishte mbajtur 600 euro si kamatë mujore dhe se familja kishte paguar për vite me radhë shuma të mëdha vetëm në emër të kamatave. Sipas aktakuzës, F.S. kishte paguar gjithsej 78 mijë e 200 euro kamata, ndërsa borxhi kryesor mbetej i pandryshuar. Apeli ka vlerësuar se kamata arrinte rreth 10 për qind në muaj.
Sipas Apelit, fajësia është vërtetuar përtej çdo dyshimi përmes dëshmisë së të dëmtuarit, dëshmitarëve të tjerë dhe provave materiale, përfshirë audio- dhe video-incizimet, masat e veçanta hetimore dhe blerjen e simuluar. Gjykata ka konstatuar se dënimi prej 4 vjetësh burgim dhe 5 mijë euro gjobë është në përputhje me përgjegjësinë penale dhe rrezikshmërinë e veprës.
Aktgjykimi është ndryshuar vetëm në një pjesë: kompensimin e dëmit. Apeli e ka udhëzuar të dëmtuarin F.S. që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë përmes një kontesti civil të veçantë.
Në rastin e dytë ku Hashim Thaçi akuzohet për ndërhyrje në drejtësi, koha e fjalëve përfundimtare është ndarë me minuta: tri orë për Prokurorinë Speciale, dy orë për mbrojtjen e Thaçit. Seancat mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026.

