Në fund të mandatit të dytë në Kosovë, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, thotë se forca e NATO-s nuk ka mandat të vendosë për hapjen e urës së Ibrit dhe që rruga drejt stabilitetit është politike, jo ushtarake.

Ura e Ibrit, pika më e ndjeshme e sigurisë në Kosovë, nuk do të hapet me vendim të KFOR-it. Komandanti i forcës së NATO-s në Kosovë, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka deklaruar në përfundim të mandatit të tij të dytë në Kosovë se ky vendim nuk i takon ushtrisë.
"Së pari: kalimi gradual i pranisë së përhershme të KFOR‑it në urën e Ibrit është pjesë e procesit më të gjerë të optimizimit që kam përmendur më herët dhe pasqyron përmirësimin e situatës së sigurisë. Ky tranzicion bazohet në kushte dhe realizohet në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX‑in dhe hisedarët e tjerë përkatës. KFOR‑i do të vazhdojë të mbajë një prani të dukshme në veri dhe jug të Mitrovicës dhe në të gjithë pjesën veriore të Kosovës. Ne mbetemi të gatshëm të reagojmë ndaj zhvillimeve përkatëse të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë të OKB‑së. Së dyti: KFOR‑i nuk ka mandat të përcaktojë nëse ura duhet të hapet apo jo. Kjo çështje i takon Bashkimit Evropian dhe institucioneve përkatëse në Kosovë, pasi KFOR‑i të përfundojë praninë e tij të përhershme në urë", ka thënë Ulutash.
Sipas tij, situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me fillimin e mandatit të tij, por sfidat vazhdojnë të jenë të pranishme. Ky përmirësim, thotë komandanti, i ka mundësuar NATO-s të nisë përshtatjen graduale të pranisë së KFOR-it, një proces që, sipas tij, mund të kthehet mbrapsht nëse situata përkeqësohet. Rrugën drejt stabilitetit të qëndrueshëm Ulutash e ka cilësuar politike dhe jo ushtarake.
Bashkëpunimin me institucionet e Kosovës dhe me mekanizmat e tjerë të sigurisë komandanti i KFOR-it e ka përshkruar si profesional, konstruktiv dhe të rregullt, duke tërhequr një vijë të qartë mes rolit të forcës së NATO-s dhe atij të policisë.
"KFOR‑i ruan koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX‑in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse si institucione përgjegjëse për reagimin ndaj çështjeve të sigurisë, dhe vazhdon të operojë dhe të monitorojë zhvillimet në të gjithë Kosovën. Zbatimi i ligjit nuk bën pjesë në mandatin e KFOR‑it, por ne vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, në përputhje me standardet më të larta operacionale dhe parimin e trajtimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve", ka shtuar Ulutash.
Kur do të përfundojë prania e përhershme e KFOR-it në urën e Ibrit dhe cili do të jetë hapi i radhës i Bashkimit Evropian dhe i institucioneve të Kosovës, mbetet e papërcaktuar. Deklaratat i janë dhënë Telegrafit.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

