Komisioni Evropian konfirmoi se presidentja Ursula von der Leyen do të vizitojë Ballkanin Perëndimor muajin e ardhshëm, por nuk garanton se të gjitha vendet e rajonit do të jenë në agjendë. Një zyrtar i lartë i institucionit thotë se heqja e Serbisë nga itinerari nuk përjashtohet.

Një ndalesë që deri vjet ishte e vetëkuptueshme tani është kthyer në dilemë politike: Serbia mund të mbetet jashtë turneut të radhës të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Ballkanin Perëndimor.
Komisioni Evropian konfirmoi të hënën se von der Leyen do ta vizitojë rajonin muajin e ardhshëm. Për Serbinë, megjithatë, nuk ka asnjë konfirmim. "Shmangia e vizitës në Serbi si pjesë e turit është një mundësi që nuk përjashtohet", tha për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian, i cili foli në kushte anonimiteti.
Edhe në komunikimin publik të Brukselit dera lihet e hapur. Një zëdhënës i Komisionit tregoi se jo të gjitha vendet e rajonit mund të përfshihen në agjendën e vizitës. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paola Pinho, ishte më e detajuar në një konferencë për shtyp: "Mund të konfirmoj se, si çdo vit, presidentja do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor. Programi është ende duke u krijuar dhe, për këtë arsye, nuk jam në gjendje të konfirmoj se cilat vende do të përfshihen, ose nëse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të përfshihen në program".
Turneu vjetor i von der Leyen në rajon është planifikuar të nisë në tetor. Tradicionalisht, gjatë tij ajo viziton të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë. Këtë radhë, sipas zyrtarit të lartë të Komisionit, është pikërisht Serbia ajo që mund të paraqesë problem.
Arsyet janë disa dhe të gjitha politikisht të ndjeshme. Nëse vizita në Serbi realizohet, ajo do të vijë vetëm disa javë pas varrimit të Ratko Mlladiqit, të dënuarit për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Bosnjë e Hercegovinë. Do të përkonte gjithashtu me një periudhë fushate të mundshme zgjedhore, pasi thuhet se zgjedhjet e parakohshme mund të thirren së shpejti. Në sfond qëndron edhe konfirmimi se aktivistë dhe politikanë të opozitës në Serbi janë shënjestruar nga programe spiunazhi para cikleve zgjedhore potencialisht vendimtare.
Presioni nuk vjen vetëm nga rrethet diplomatike. Brenda Parlamentit Evropian tashmë ka thirrje që presidentja e Komisionit të mos e vizitojë Serbinë këtë herë. Një sinjal të ngjashëm e ka dhënë më herët edhe komisionarja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila e anuloi një vizitë në Beograd.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

