Vetëm 23 bashki në Shqipëri kanë parashikuar para për mbrojtjen nga zjarri këtë vit, por deri në fund të qershorit ishte shpenzuar vetëm një e dhjeta e tyre. Tirana dhe Durrësi, që mbajnë mbi 63% të fondeve, së bashku kishin shpenzuar rreth 165 mijë lekë.

Ndërsa flakët shkrumbonin dhjetëra hektarë pyje dhe kullota në të gjithë Shqipërinë këtë verë, me dëme që llogariten në miliarda lekë, paratë e destinuara pikërisht për mbrojtjen nga zjarri kanë mbetur kryesisht të pashpenzuara në arkat e bashkive.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, vetëm 23 bashki kanë përllogaritur në buxhetet e tyre fonde për mbrojtjen nga zjarri për këtë vit, me një vlerë totale prej rreth 729.6 milionë lekësh. Deri në fund të qershorit, shpenzimet faktike ishin vetëm 75.7 milionë lekë, pra një nivel realizimi prej 10.4%.
Edhe brenda kësaj shifre të ulët, pasqyra është e ndarë: nga 23 bashkitë me investime të parashikuara në programin e mbrojtjes nga zjarri dhe mbrojtjes civile, vetëm 11 kishin regjistruar shpenzime deri në qershor, ndërsa 12 të tjera nuk kishin realizuar asnjë pagesë të vetme.
Hendeku më i madh mes premtimit buxhetor dhe zbatimit është në kryeqytet. Bashkia e Tiranës ka rreth 356.8 milionë lekë të programuara, pothuajse gjysmën e fondit total të 23 bashkive së bashku. Deri në fund të qershorit ajo kishte shpenzuar 164.9 mijë lekë, ose rreth 0.05% të buxhetit të vet për këtë program.
Pas Tiranës, bashkia me fondin e dytë më të madh në këtë sektor, Durrësi, kishte rreth 104 milionë lekë të planifikuara, por deri në qershor nuk rezultonte asnjë shpenzim i realizuar. Të dyja bashkitë përqendrojnë mbi 63% të të gjitha fondeve të programuara nga 23 bashkitë, ndërsa së bashku kishin shpenzuar rreth 165 mijë lekë, gjë që rëndon ndjeshëm nivelin e realizimit në shkallë vendi.
Në anën tjetër të pasqyrës qëndrojnë disa bashki të vogla dhe të mesme. Himara kryeson për vlerën e shpenzimeve faktike, me 46.8 milionë lekë të realizuara nga 143.8 milionë lekë të programuara, ose rreth 32.5% të fondit. Pothuajse e gjithë shuma lidhet me blerjen e një automjeti zjarrfikës me vlerë 46.8 milionë lekë, projekt i paguar në masën 100%.
Pusteci renditet i dyti, me rreth 10.8 milionë lekë shpenzime nga 18.9 milionë lekë të parashikuara, ku pjesa kryesore shkon për blerjen e një mjeti për shërbimin e MZSH-së. Kukësi shënon një nga nivelet më të larta të realizimit: nga 8.46 milionë lekë të programuara ishin shpenzuar rreth 8.44 milionë lekë, ose 99.7%, me rreth 7 milionë lekë të përdorura për një automjet zjarrfikës. Edhe Librazhdi kishte realizuar praktikisht të gjithë fondin prej rreth 4.55 milionë lekësh, ndonëse pjesa më e madhe lidhet me ndërhyrje të mbrojtjes civile dhe jo drejtpërdrejt me pajisje zjarrfikëse.
Pesha është mjaft e zhdrejtë: vetëm Himara, Pusteci dhe Kukësi përbëjnë rreth 87% të të gjitha shpenzimeve faktike të evidentuara deri në qershor për 23 bashkitë.
Përveç Durrësit, deri në atë moment nuk rezultonin shpenzime as në Kavajë, Krujë, Vlorë, Bulqizë, Malësi të Madhe, Gramsh, Pukë, Përrenjas, Këlcyrë dhe Dropull, megjithëse të gjitha kishin fonde të parashikuara në buxhet për këtë program.
Të dhënat i përkasin situatës deri në fund të qershorit 2026 dhe pasqyrojnë ecurinë e realizimit në gjysmën e parë të vitit, jo rezultatin përfundimtar të shpenzimeve vjetore.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka dhënë dorëheqjen dhe në krye të dikasterit është emëruar Ervin Demo. Është dorëheqja e dytë e një ministri brenda një kohe të shkurtër, pas largimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

