Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj thotë se ka në dorë orë të tëra përgjimesh, mes tyre një interceptim treorësh në Monako, dhe pretendon se materialet do të nxjerrin elemente të trafikut të armëve. Akuzat, të pambështetura deri tani nga ndonjë institucion, godasin drejt e në majën e qeverisë shqiptare.

Një interceptim treorësh i kryer në Monako, një USB me materiale audio dhe një listë emrash që shkon nga një biznesmen me tri pasaporta te ministri aktual i Mbrojtjes: ky është premtimi publik që bëri ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, në emisionin "Çim Peka Live".
Ahmetaj tha se disponon në telefon dhe në një USB materiale përgjimesh, të cilat, sipas tij, implikojnë persona të rëndësishëm të politikës dhe biznesit. "Kam dhe 3 orë në USB të shkëputur. Ka dhe një interceptim tjetër në Monako, tre orë, ku kreu i organizatës është kryefjala. Bëhet fjalë për vazhdimin. Aty është një serial tjetër krimi me krim të organizuar", deklaroi ai. Me "kreun e organizatës" ai iu referua kryeministrit Edi Rama.
Personazhi qendror i rrëfimit të tij është Ron Yeffet, të cilin Ahmetaj e përshkroi si amerikano-izraelito-shqiptar dhe për të cilin tha se ka një marrëdhënie të hershme me kreun e ekzekutivit. Për vitin kur Yeffet do të ishte parë në Shqipëri, vetë Ahmetaj dha dy data të ndryshme gjatë të njëjtës bisedë, 2018 dhe 2008. Sipas tij, ky është personi për të cilin ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati i qenka kërkuar t'i dorëzohej ambasada shqiptare në Nju Jork për ndërtim.
Ahmetaj e zgjeroi akuzën në një rrjet kompanish. Yeffet, tha ai, zotëron 49 për qind të kompanisë Timak sh.p.k., e cila kontrollon 80 për qind të Timak Defense, ndërsa 20 për qind i takojnë asaj që ai e quajti "koncepti KAYO". "Do dëgjoni në audiopërgjim, koncepti KAYO si koncept kriminal shtrihet sot në të gjithë damarët financiarë të shtetit në mënyrë kriminale", deklaroi ish-zëvendëskryeministri, duke përmendur gjithashtu Timak Special Vehicles, Timak Aviation dhe Timak Horse Club.
Pjesa më e rëndë e pretendimeve të tij lidhet me armët. Ahmetaj përmendi kompaninë UNO 18 dhe Advanced Arms Technology, të lidhura sipas tij me emrin Arjeta Puca, dhe shtoi: "Do të shihni në disa dokumente kontributin e Ron Yeffetit. Në audiopërgjim do të kesh elemente të trafikut të armëve. Do të kemi dhe Ermal Raketën, ministrin aktual të Mbrojtjes". Nofka "Ermal Raketa", sqaroi ai, i përket ministrit aktual të Mbrojtjes.
Në të njëjtën dalje, ish-zëvendëskryeministri foli për udhëtime me çarter, qëndrime në hotele në Itali dhe shpenzime luksoze, duke i lidhur ato me atë që e cilëson vjedhje të parave të buxhetit të shtetit. Ai njoftoi se materialet do të publikohen në gjashtë raunde.
Të gjitha këto mbeten deri tani pretendime publike të një personi, të pashoqëruara nga publikimi i vetë përgjimeve dhe pa asnjë konfirmim nga prokuroria apo institucione të tjera. Asnjë prej personave të përmendur nuk ka dhënë deri më tani reagim mbi këto akuza.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka dhënë dorëheqjen dhe në krye të dikasterit është emëruar Ervin Demo. Është dorëheqja e dytë e një ministri brenda një kohe të shkurtër, pas largimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

