Këshilli i Prokurorëve ka nisur shqyrtimin e pesë kandidaturave për drejtues të ri të Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Zgjedhja është caktuar për 28 tetor.

Ilustrim i krijuar me inteligjencë artificiale. Nuk është fotografi e ngjarjes. Si e përdorim AI-në
Gara për postin më të ndjeshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në fazën e parë të filtrimit. Këshilli i Prokurorëve ka formuar komisionet që do të zhvillojnë procedurën për zgjedhjen e shefit të ri të Prokurorisë Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ku janë paraqitur pesë kandidatë.
"Këta pesë kandidatë tani komisioni i shqyrton nëse i përmbushin ose jo kushtet në përputhje me ligjin dhe sipas shpalljes; dhe do t'i publikojnë në ueb-faqe në afat prej tre ditësh", tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Bashkim Besimi.
Kandidaturat i kanë dorëzuar prokurori i lartë Jove Cvetanovski, prokurori në Prokurorinë e Lartë dhe ish-prokuror i PSP-së, Trajçe Pelivanov, prokurorja e PTHP-së Shkup, Lidija Raiçeviq, si dhe dy prokurorë të vetë PTHP NKOK-së, Iskra Haxhi-Vasileva dhe Faton Azizi.
Kriteret janë të përcaktuara: të drejtë kandidimi kanë prokurorët publikë me së paku gjashtë vjet përvojë të pandërprerë në funksionin e prokurorit deri në momentin e aplikimit dhe me vlerësim pozitiv në tri vitet e fundit. Dita e zgjedhjes është caktuar për 28 tetor.
Procedurën e ka nxitur skadimi i mandatit të drejtuesit aktual të kësaj prokurorie, Islam Abazi, i cili u zgjodh në këtë detyrë në tetor të vitit 2022.
Mbi procesin rëndon edhe një çështje disiplinore. I pyetur nëse do të ankohet ndaj vendimit për ndërprerjen e procedurës disiplinore ndaj njërit prej kandidatëve, kryeprokurori Nenad Saveski u përgjigj: "E kam pranuar vendimin dhe mendoj se kam dhënë tashmë qëndrim për këtë, nuk do të parashtroj, respektivisht ka skaduar afati për parashtrimin e ankesës". Nuk është bërë e ditur se për cilin nga pesë kandidatët bëhej fjalë.
Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të kenë dy zëra në Kuvendin e Serbisë. Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, i uroi dy deputetët e zgjedhur dhe u kërkoi të mos e prishin unitetin.

