Një gjykatë në Erfurt i kishte dënuar me nga 15 vjet burg secilin për vjedhje me dhunë. Tani një 22-vjeçar dhe një 24-vjeçar nga Vushtrria janë në pranga në Shqipëri dhe presin ekstradimin drejt Gjermanisë.

Dy të rinj nga Vushtrria, të cilët drejtësia gjermane i kishte dënuar me nga 15 vjet burg secilin, kanë përfunduar në pranga në Morinë, në Shqipëri, ku u ndalën nga policia kufitare shqiptare.
Sipas policisë shqiptare, të arrestuarit janë një 22-vjeçar dhe një 24-vjeçar, të dy banues në Vushtrri. Ata u kapën nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë gjatë operacionit "Wanted", që synon gjetjen e personave të shpallur në kërkim, dhe u arrestuan me qëllim ekstradimi. Policia e përshkruan operacionin si "Kontrolle intensive, bazuar në analizën e riskut, për kapjen e personave në kërkim, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive."
Të dy ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden në Gjermani, pas vendimit të Gjykatës së Erfurtit më 1 qershor 2026. Me atë vendim, ata u dënuan për veprat penale "Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim" dhe "Dëmtim prone", të parashikuara nga Kodi Penal gjerman. Nuk është bërë e ditur se kur saktësisht u kryen arrestimet në Morinë.
Dorëzimi i tyre te autoritetet gjermane nuk është kryer ende. "Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden, Gjermani, vijon punën për finalizimin e ekstradimit të këtyre shtetasve drejt Gjermanisë", thuhet në njoftimin e policisë.
Ndryshimi i pushtetit në Beograd nuk i fshin zotimet e Serbisë ndaj Kosovës, paralajmëron Brukseli. Lista Studentore fitoi zgjedhjet, por e quan Kosovën pjesë të Serbisë dhe kërkon rishqyrtimin e marrëveshjeve.

