Kompania gjermane Isar Aerospace vendosi në orbitë raketën Spectrum, të lëshuar nga Andoya në veri të rrethit polar arktik. Është hera e parë që një raketë e zhvilluar nga sektori privat arrin orbitën nga Evropa kontinentale, në një moment kur kontinenti kërkon pavarësi nga SHBA-të për dërgimin e satelitëve.

Pak pas orës 22:00 me kohën e Parisit, të shtunën më 5 shtator, raketa Spectrum u ngrit nga baza e Andoyas, në veri të rrethit polar arktik në Norvegji, dhe pak minuta më vonë kompania gjermane Isar Aerospace njoftoi se kishte arritur objektivin: orbitën.
"Ne jemi në orbitë! Dhe sapo shkruam një faqe të historisë evropiane: është hera e parë që një raketë e zhvilluar nga sektori privat vendoset në orbitë nga Evropa kontinentale", njoftoi kompania në rrjetin X.
Suksesi erdhi pas disa muajsh vonesash, të shkaktuara nga probleme teknike ose sigurie. Në një fluturim provë në mars të vitit 2025, një raketë Spectrum ra përsëri në Tokë dhe shpërtheu.
Lëshimi ka një peshë që shkon përtej teknologjisë. Evropa po kërkon të forcojë aftësinë e saj për të dërguar satelitë në hapësirë në mënyrë ekonomike dhe të pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Kompania franceze Arianespace prej kohësh operon nga Guajana Franceze, por kontinenti po vë bast te konkurrenca mes Isar Aerospace dhe kompanive të tjera për lëshime më të lira, sipas modelit të Space X, ndërmarrjes amerikane të Elon Musk.
Interesi politik ishte i shprehur qartë edhe në Berlin. Kancelari gjerman Friedrich Merz kishte deklaruar në qershor se Gjermania e priste me padurim lëshimin e Isar Aerospace dhe se gëzohej për perspektivën e lëshimeve të dy kompanive të tjera private gjermane të hapësirës.
Konteksti është po aq i ndjeshëm: lëshimi vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka lëkundur besimin e evropianëve, të shqetësuar për varësinë e tyre nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në fushën e lëshimeve hapësinore. Arritja e Isar Aerospace hap rrugën për një konkurrencë të re evropiane në tregun e lëshimeve private hapësinore, përballë aktorëve si Space X.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

