Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti të premten në kryeqytetin indian për samitin e BRICS me 11 anëtarë, një takim dyditor që pritet të dominohet nga lufta në Lindjen e Mesme, nga ajo në Ukrainë dhe nga tensionet ekonomike. Në Nju Delhi pritet edhe presidenti kinez Xi Jinping, në vizitën e tij të parë në Indi pas vitit 2019.

Aeroplani i Vladimir Putinit u ndal të premten në bazën ajrore Palam në Nju Delhi, ku presidentin rus e priti ministri i Shtetit për Punët e Jashtme të Indisë, Kirti Vardhan Singh, sipas pamjeve të transmetuara nga agjencia ruse e lajmeve Ria Novosti. Vizita hap një samit të BRICS me 11 anëtarë, të cilin pritet ta dominojnë luftat në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë, si edhe sfidat ekonomike.
Putin dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian do të zhvillojnë bisedime me kryeministrin indian Narendra Modi, ndërsa presidenti kinez Xi Jinping pritet të takohet me Modin në margjinat e takimit dyditor.
Kryeqyteti indian është kthyer në një kantier sigurie. Postera me fytyrën e buzëqeshur të Modit janë vendosur përgjatë rrugëve të Nju Delhit për t'i pritur udhëheqësit, ndërsa forca të shumta të sigurisë janë shpërndarë në të gjithë kryeqytetin dhe qarkullimi është kufizuar gjerësisht në lagjet centrale. Policia e Delhit ka kërkuar nga qytetarët durim dhe bashkëpunim.
BRICS, shkurtesa që merr emrin nga anëtarët e tij fillestarë (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), u krijua në vitin 2009 si një forum i ekonomive të mëdha në zhvillim që kërkonin peshë më të madhe në institucionet e dominuara nga fuqitë perëndimore. Ndërkohë grupi u zgjerua dhe tani përfshin Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, tre vende me pozicione thellësisht të kundërta ndaj luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, e nisur në shkurt.
Pikërisht ky zgjerim, sipas analistëve, rrezikon të bëhet dobësia e samitit. "Konflikti i Gjirit do të jetë linja kryesore e ndarjes këtë herë gjatë samitit të BRICS", i tha agjencisë së lajmeve AFP Harsh V Pant nga Observer Research Foundation në Indi. "Ajo që deri vitin e kaluar shihej si arritje, zgjerimi i BRICS, sot duket si një kufizim i madh për BRICS", shtoi Pant.
Vizita e Pezeshkianit është e parë e tij në Indi në cilësinë e presidentit iranian dhe e para pas tetë vitesh për këtë post, duke e vendosur konfliktin në Lindjen e Mesme fort në rendin e ditës. "Lufta në Iran do të ofrojë një provë të vështirë të kohezionit të grupit (të zgjeruar)", i tha AFP-së Shilan Shah nga Capital Economics, duke kujtuar dështimin e ministrave të Jashtëm të BRICS për të pajtuar një deklaratë të përbashkët kur u takuan në Nju Delhi në maj.
India mban marrëdhënie të mira njëkohësisht me Iranin dhe Izraelin, por ruan gjithashtu një ekuilibër delikat në lidhjet e tij me Uashingtonin. Krizën energjetike të shkaktuar nga lufta kundër Iranit, Nju Delhi e ka përballuar pjesërisht duke iu drejtuar Rusisë, një nga partnerët e tij strategjikë më të rëndësishëm dhe furnizuesi i tij më i kontestuar me karburante në vitet e fundit, ndërsa lufta e Moskës kundër Ukrainës vazhdon.
Kontaktet mes Nju Delhit dhe Moskës kanë qenë të dendura: Putin vizitoi për herë të fundit Indinë në dhjetor 2025 dhe u takua me Modin edhe në Bishkek, kryeqytetin e Kirgizisë, këtë muaj. Paralelisht, ministri i Jashtëm indian Subrahmanyam Jaishankar vizitoi këtë muaj Kievin, ku presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u shpreh "mirënjohës ndaj Indisë për angazhimin e saj për t'i dhënë fund kësaj lufte të padrejtë".
Për Xi Jinpingun, ky është udhëtimi i parë në Indi pas vitit 2019 dhe hapi më i madh deri tani në një shkrirje të kujdesshme të akullit mes dy fqinjëve rivalë, gjashtë vjet pas një përplasjeje të përgjakshme ushtarake përgjatë vijës kufitare të kontestuar në Himalaje. Marrëdhëniet mes dy gjigantëve aziatikë me armë bërthamore kanë nisur të ngrohen, me rikthimin gradual të fluturimeve, vizave dhe kontakteve të nivelit të lartë. Mosbesimi i thellë mbetet, ndërsa kufiri i kontestuar, deficiti tregtar në rritje dhe rivaliteti strategjik vazhdojnë t'i ndërlikojnë lidhjet.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

