Milan Radoiçiq, i dyshuar si organizator i sulmit në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, vazhdon të jetë i lirë në Serbi. Tani një komision i Prokurorisë së Lartë Publike të Serbisë po shqyrton pse kërkesa për paraburgimin e tij u mbështet vetëm në një argument.

Një komision i Prokurorisë së Lartë Publike të Serbisë po shqyrton rastin e Milan Radoiçiqit, biznesmenit kontrovers të dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës. Në qendër të shqyrtimit është një pyetje e thjeshtë: pse ai nuk u mbajt në paraburgim pas marrjes në pyetje në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, pavarësisht peshës së veprave për të cilat dyshohet.
Mbikëqyrja e rastit bëhet me udhëzim të kryeprokurores së Serbisë, Zagorka Dolovac.
Vetëm një argument për paraburgim
Sipas portalit serb nova.rs, një nga arsyet pse Radoiçiqi doli i lirë ishte mënyra si u hartua kërkesa për paraburgim. Prokurori i atëhershëm i rastit, Nikola Panteliq, kishte përmendur vetëm një rrethanë që mund të pengonte procedurën nëse i dyshuari mbetej i lirë: rrezikun e arratisjes.
Pikërisht ky argument rezultoi i dobët. Radoiçiqi ishte dorëzuar vetë dhe ishte paraqitur vullnetarisht për t'u marrë në pyetje, gjë që e bënte rrezikun e arratisjes të pabazuar.
Komisioni pritet të sqarojë tani pse Panteliqi nuk u mbështet në tri rrethanat e tjera që ligji i parasheh si bazë për paraburgim: rrezikun e përsëritjes së veprës penale, ndikimin te dëshmitarët dhe shqetësimin e opinionit publik. Ndërkohë, Panteliqi është avancuar në detyrë dhe tani drejton Prokurorinë e Lartë Publike në Pançevë.
Gjyqtarja: lidhjet me Beogradin mjaftojnë
Pas marrjes në pyetje, prokuroria kishte kërkuar paraburgim deri në 30 ditë për Radoiçiqin. Në kërkesë theksohej se ai herë pas here qëndronte jashtë vendbanimit të tij për më shumë se 90 ditë, pa e raportuar këtë.
Gjyqtarja që trajtonte rastin e hodhi poshtë kërkesën. Sipas vlerësimit të saj, lidhjet personale, familjare dhe pasurore të Radoiçiqit me Beogradin, paraqitja vullnetare në polici dhe dorëzimi i pasaportës mjaftonin për të garantuar praninë e tij në procedurë.
Në vend të paraburgimit, gjykata vendosi masa kufizuese: ndalim largimi nga Serbia pa miratimin e gjykatës, marrje të përkohshme të pasaportës dhe detyrim për t'u paraqitur rregullisht në polici. Atij iu ndalua edhe udhëtimi drejt Kosovës, me paralajmërimin se mund të përfundonte në paraburgim nëse i shkelte ndalesat dhe detyrimet e caktuara.
Udhëzim i detyrueshëm për 87 prokurori
Rasti i Radoiçiqit është pjesë e një mbikëqyrjeje më të gjerë. Kryeprokurorja Dolovac ka nxjerrë një udhëzim të detyrueshëm për të gjitha 87 prokuroritë në Serbi, që anëtarëve të komisionit të posaçëm t'u lejohet qasja në çdo lëndë që kërkojnë të shqyrtojnë. Moszbatimi i këtij udhëzimi konsiderohet shkelje disiplinore.
Mbikëqyrja përfshin veçanërisht rastet e veprave penale kundër jetës dhe trupit, kundër lirive dhe të drejtave të qytetarëve, kundër të drejtave zgjedhore, kundër ekonomisë, kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë, si dhe veprat kundër detyrës zyrtare.
Sulmi që mbetet pa përgjigje në Serbi
Më 24 shtator 2023, në sulmin e armatosur në Banjskë u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur.
Radoiçiqi mori përgjegjësinë për organizimin e grupit. Përmes avokatit të tij, Goran Petronijeviq, ai deklaroi se kishte shkuar me bashkëkombësit e tij në veri të Kosovës për të inkurajuar popullin serb në rezistencë ndaj Qeverisë së Albin Kurtit. Ai pretendoi gjithashtu se Beogradi nuk kishte pasur dijeni për qëndrimin e tij në Kosovë.
Kontrasti mes dy anëve të kufirit është i dukshëm. Në Kosovë, disa serbë të përfshirë në rastin e Banjskës janë dënuar me vite të gjata burgimi, dy prej tyre me burgim të përjetshëm. Radoiçiqi, i dyshuari kryesor si organizator, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Shenjat e gishtave dhe materiali biologjik i gjetur në banesën e viktimës e kanë çuar policinë greke te një shqiptar 48-vjeçar, që tani ndodhet në paraburgim. Ai pretendon se nuk kujton asgjë nga ajo natë.

