Nxënësit 15-vjeçarë të Kosovës mbetën mbi 120 pikë nën mesataren e OECD-së në testin PISA 2025, me regres në matematikë dhe pothuajse asnjë nxënës me performancë të nivelit të lartë. Ekspertët e arsimit kërkojnë masa urgjente, ndërsa Ministria e Arsimit njofton analizë të rezultateve.

Nga 6.632 nxënës 15-vjeçarë të testuar në Kosovë, pothuajse asnjë nuk arriti nivelin e lartë të performancës. Ky është konstatimi që del nga rezultatet e testit ndërkombëtar PISA 2025, të publikuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), ku Kosova renditet e teta nga fundi.
Në shkencë Kosova mori 357 pikë, njësoj si në vitin 2022. Në lexim 340 pikë, dy më pak se tri vjet më parë, ndërsa në matematikë 351 pikë, katër më pak se në PISA 2022. Në të tria fushat Kosova mbetet mbi 120 pikë nën mesataren e OECD-së, e cila është 482 pikë.
PISA 2025 përfshiu për herë të parë edhe një vlerësim të zgjidhjes së problemeve në mënyrë kompjuterike. Kosova mori 359 pikë, ndërsa mesatarja e këtij vlerësimi është 500 pikë.
"Pothuajse asnjë nxënës në Kosovë nuk ishte performues i nivelit të lartë në matematikë, që do të thotë se kishte arritur nivelin 5 ose 6 në testin e matematikës PISA (mesatarja e OECD-së: 8%)", thuhet në Raportin PISA 2025 të OECD-së.
Testimi nuk mati vetëm njohuritë. Në Kosovë, 21 për qind e nxënësve pajtohen plotësisht se shkolla ka qenë humbje kohe, ndërsa 24 për qind raportuan se kishin qenë viktimë e të paktën një forme të ngacmimit, përfshirë atë kibernetik, disa herë në muaj.
Raporti ndalet edhe te kushtet në shkolla. "Të dhënat e PISA 2025 tregojnë se mungesa e perceptuar e burimeve materiale mbetet shqetësim në shumicën e vendeve dhe ekonomive. Rreth 60% e nxënësve në Kosovë ndiqnin mësimin në shkolla, drejtuesit e të cilave raportuan se mungesa e materialeve arsimore - si tekstet shkollore, pajisjet e teknologjisë informative, materialet e bibliotekës ose laboratorit - pengonte procesin mësimor, të paktën deri në një masë. Ndërkaq, 33% e nxënësve ishin në shkolla ku mungesa e infrastrukturës fizike - si ndërtesat, hapësirat shkollore, sistemet e ngrohjes/ftohjes, ndriçimi dhe sistemet akustike - perceptohej si pengesë për mësimin. Në vitin 2022, këto përqindje ishin përkatësisht 70% dhe 53%", thuhet në raportin e OECD-së.
Një tregues tjetër ka rënë ndjeshëm pothuajse në të gjitha vendet pjesëmarrëse, përfshirë Kosovën: në vitin 2025, 64 për qind e nxënësve kosovarë thanë se prindërit ose kujdestarët i pyesin të paktën një herë në javë se çfarë kanë bërë në shkollë. Në vitin 2022 kjo përqindje ishte 74.
Nga njohësit e fushës së arsimit ka ardhur thirrja për ndërhyrje të menjëhershme. "Realisht mendoj që kjo duhet me qenë alarmi i fundit. Ministria e Arsimit, akterët e arsimit, të ulen dhe ta trajtojnë seriozisht këtë situatë dhe t'i adresojnë problemet reale që ka arsimi. Është urgjencë kombëtare kjo çështje, sepse jemi duke shkuar drejt analfabetizmit total", ka thënë Agon Ahmeti, drejtor në organizatën ETEA.
Ismet Potera, njohës i fushës së arsimit, tha se nuk kishte pritur rezultate të mëdha, por as rënie krahasuar me vitin 2022. "Është e dhimbshme, po tregojnë që nuk jemi shumë seriozë. Nuk kam pritur që do të ketë ndonjë rezultat, por nuk e kam mendu që do të ketë rënie. Jemi i vetmi vend në Evropë që nuk mësojmë nga pësimet dhe nuk ndërmarrim diçka. Gjithmonë tri ditë pas rezultateve i kemi komentuar, por aty ka përfunduar gjithçka. Sepse testi PISA po na tregon ku jemi. Atëherë ne duhet të gjejmë rrugën të dalim nga kjo gjendje", ka thënë ai.
Ministria e Arsimit ka njoftuar se do të bëjë analizë të rezultateve dhe e ka cilësuar raportin, në të cilin asnjë nxënës nuk ka treguar performancë të lartë me pikë maksimale, si referencë për ndërhyrje. Pas publikimit të rezultateve, opozita ka akuzuar Qeverinë për performancën e dobët.
Rënia nuk është vetëm kosovare. Në vendet e OECD-së rezultati mesatar në lexim ka rënë për 28 pikë nga viti 2015 deri më 2025, çka sipas organizatës është e barasvlershme me rreth një vit e gjysmë shkollim, ndërsa në matematikë rënia në të njëjtën periudhë ishte 22 pikë, pak më shumë se një vit mësimi. Edhe vendet jashtë OECD-së kanë shënuar rënie: 16 pikë në lexim dhe tetë pikë në matematikë. OECD thekson se mesataret e vendeve anëtare kanë zbritur në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë nga PISA në matematikë dhe lexim, ndërsa në shkencë rezultati ka mbetur i pandryshuar mes viteve 2022 dhe 2025, pas një periudhe të gjatë rënieje. Një në pesë nxënës 15-vjeçarë në vendet e OECD-së konsiderohet sot me performancë të ulët në të tria fushat, krahasuar me rreth një në gjashtë në vitin 2022.
Organizata paralajmëron edhe për ndikimin e përdorimit të pakontrolluar të pajisjeve digjitale dhe të inteligjencës artificiale, duke vlerësuar se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në të nxënit kur përdoret me qëllim dhe nën udhëzim, por nuk duhet të zëvendësojë përpjekjen dhe të menduarit e vetë nxënësit.
Në testimin e vitit 2025 morën pjesë mbi 750 mijë nxënës nga 91 vende dhe ekonomi. Kina renditet e para, e ndjekur nga Singapori dhe Japonia. Në rajon, Shqipëria ka shënuar përmirësim, me 433 pikë në matematikë, 435 në shkencë dhe 408 në lexim, duke u renditur e para në rajon në shkencë dhe duke udhëhequr klasifikimin në matematikë së bashku me Malin e Zi, sipas rezultateve të publikuara në Konferencën e Bratislavës.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

