Dy partitë më të mëdha opozitare njoftuan se do të jenë prezente në vazhdimin e seancës konstituive të mërkurën paradite, hap që hap rrugën për Kuvendin e ri, qeverinë dhe presidentin. Aleanca nuk ka vendosur ende.

Bllokada gati dyvjeçare e institucioneve të Kosovës merr të mërkurën paradite provën e radhës: Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë njoftuar të hënën se do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit, seancë që u ndërpre në gjysmë muajin e kaluar.
Pas mbledhjes së Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PDK-së, kryetari i partisë, Bedri Hamza, konfirmoi se deputetët e tij do të jenë të pranishëm. Kosova, sipas tij, "duhet të ketë Kuvend të konstituuar". I pyetur nëse me këtë hap po legjitimohen "shkeljet kushtetuese" të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për mbajtjen e seancës jashtë afateve kushtetuese, Hamza u përgjigj: "Ne nuk kemi përgjegjësi pse deri tash nuk është konstituuar Kuvendi. Ne çdo 48 orë kemi qenë në Kuvend. Ne çdo ditë e kemi ftuar zotin Kurti që të vijë në Kuvend, që t’i respektojë Kushtetutën dhe ligjet."
Të njëjtin qëndrim e bëri të ditur edhe LDK-ja. Deputetja Jehona Lushaku deklaroi pas mbledhjes së Grupit Parlamentar: "Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj". Aleanca, ndërkaq, mbetet e paqartë: kryetari i saj, Adrian Gjini, kishte thënë ditë më parë se partia mund të vendosë të martën, në një mbledhje të Kryesisë.
Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të nisi më 6 gusht, kur deputetët e dhanë betimin, por u ndërpre pasi Kurti kërkoi kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike. Më 8 gusht deputetët u mblodhën përsëri dhe seanca u ndërpre me kërkesën e njëjtë të kryeministrit në detyrë, i cili u gjuajt me vezë nga deputetja opozitare Time Kadrijaj. Në këto javë, deputetë të PDK-së dhe të Aleancës kanë shkuar vazhdimisht në Kuvend duke kërkuar vazhdimin e punimeve.
Për t'u formuar Kuvendi i ri, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët. Vetëm pas kësaj hapet rruga për qeverinë e re dhe, eventualisht, për emërimin e presidentit. Procesi po zhvillohet mes akuzave për shkelje: sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, konstituimi duhet të përmbyllej brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, afat që skadoi më 7 gusht në mesnatë.
Ekspertët kushtetues ndajnë vlerësime të ndryshme për pasojat. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e kishte cilësuar caktimin e vazhdimit të seancës pas afatit kushtetues si "shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues". Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi argumentoi se, edhe pse shpërfillja e afatit përbën shkelje kushtetuese, ajo nuk e pengon mbajtjen e seancës më vonë, pasi nuk është përcaktuar një sanksion konkret në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit.
Nyja më e ngushtë mbetet presidenti. Kurti, partia e të cilit fitoi zgjedhjet, në bashkëpunim me komunitetin joserb duket t'i ketë votat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë edhe pa opozitën shqiptare. Për votim të vlefshëm për presidentin nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende. LVV-ja ka 53 mandate, LDK-ja 18, ndërsa marrëveshja e tyre mbështetet nga tetë deputetë të komunitetit joserb dhe një deputet i komunitetit serb, çka, sipas Kurtit, jep vetëm 74 vota. PDK-ja me 22 dhe Aleanca me 7 vende i kanë hedhur poshtë bisedimet me Kurtin për presidentin e ri.
Javën e kaluar Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u morën vesh që diplomati dhe juristi kosovar Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president. Marrëveshja u tregua e brishtë: gjashtë deputetë të LDK-së e kundërshtuan haptazi kandidaturën e Sejdiut. Lushaku theksoi të hënën se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së çështja e presidentit nuk u diskutua.
Mospajtimet mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit e dërguan Kosovën në zgjedhje të parakohshme në qershor. Nëse institucionet e reja nuk formohen, vendi rrezikon sërish zgjedhje.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

