Neni që e ka bllokuar Kodin Civil në Kuvend prej vitesh ka mbetur fjalë për fjalë i njëjti. Qeveria synon ta miratojë projektkodin deri më 15 nëntor, ndërsa nuk dihet nëse votat në Kuvend janë siguruar.

Ministria e Drejtësisë nuk ka bërë asnjë ndryshim në dispozitën që lejon bashkësitë civile ndërmjet personave të të njëjtit seks. Pikërisht ky nen e ka mbajtur projektkodin civil të bllokuar deri tani në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, dokumenti po i afrohet sërish tryezës së Qeverisë.
Bëhet fjalë për nenin 1138. Në pjesën e parë të tij, martesa përkufizohet si bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy personave të gjinive të ndryshme: "Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile".
Paragrafi pasues është ai që ka ndezur debatin: "Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara." Sipas projektkodit, kushtet dhe procedura për to do të rregullohen me një ligj të veçantë. Dokumenti përcakton gjithashtu se "Të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi".
Sipas të njëjtit nen, bashkëshortët kanë të drejtë të lidhin martesë dhe të krijojnë familje pa asnjë kufizim në bazë të racës, kombësisë apo religjionit. Ata janë të barabartë si gjatë lidhjes së martesës, ashtu edhe gjatë vazhdimit dhe zgjidhjes së saj.
Draftkodi civil është një dokument i madh, me rreth një mijë faqe dhe rreth 1600 nene. Sipas planit, ai duhet të miratohet në Qeveri deri më 15 nëntor të këtij viti.
Kundërshtimi nuk vjen vetëm nga opozita. Përmbajtja e nenit është kundërshtuar edhe nga deputetë të partisë në pushtet. Një nga zërat më të ashpër është Eman Rrahmani, sot deputet nga radhët e PDK-së. Ai u largua nga LVV-ja për shkak të pakënaqësisë me këtë nen. Dy javë më parë, Rrahmani i kërkoi kryeministrit Kurti të shpjegonte pse qeveria vazhdon të ngulmojë për miratimin e tij.
"Pse po vazhdoni, kryeministër, sërish me këtë agjendë pavarësisht kundërshtimit të mëparshëm? A nuk mendoni se me këto veprime po i shpërfillni vlerat e familjes tradicionale dhe po i fyeni qytetarët të cilët ju kanë votuar ju?", pyeti deputeti.
Kurti u përgjigj duke theksuar rëndësinë e kodit. Sipas tij, Kosovës i duhet një reformë e qëndrueshme e së drejtës civile. Ai i kërkoi Rrahmanit të mos përqendrohej vetëm te neni për bashkësinë civile ndërmjet personave të të njëjtit seks. Kryeministri kujtoi se kodi "i ka 997 faqe, i ka 1630 nene" dhe paralajmëroi se përqendrimi vetëm në dy nene "është rrezik ju bëhet obsesion".
Rruga e këtij dokumenti ka qenë e vështirë. Në mars të vitit 2022, kodi dështoi të miratohej në Kuvend. Që atëherë, ai nuk është dërguar më për shqyrtim e miratim në legjislativ. Dy vite më vonë, Ministria e Drejtësisë paralajmëroi ndryshime, përfshirë edhe nenin 1138. Ndërkohë, kryeministri premtoi se do të angazhohej personalisht për të siguruar votat e nevojshme.
Versioni aktual tregon se ndryshimi i paralajmëruar për nenin 1138 nuk ka ndodhur. Mbetet e paqartë nëse votat për miratimin e kodit janë siguruar. Gazeta KOHA i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë sqarime që nga 14 tetori, si për ndryshimet e mundshme, ashtu edhe për votat, por nuk ka marrë përgjigje.
Monarku britanik e lidh urimin për Presidenten e re të Kosovës me dy vizita personale: atë të vitit 1999, menjëherë pas luftës, dhe atë të vitit 2016 në Prizren. Në mesazh ai premton bashkëpunim të vazhdueshëm për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

