Monarku britanik e lidh urimin për Presidenten e re të Kosovës me dy vizita personale: atë të vitit 1999, menjëherë pas luftës, dhe atë të vitit 2016 në Prizren. Në mesazh ai premton bashkëpunim të vazhdueshëm për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një mesazh urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, për zgjedhjen e saj në detyrë. Në të ai rikujton se lidhja e tij me Kosovën nis që në vitin 1999, kur e vizitoi vendin për herë të parë, menjëherë pas përfundimit të luftës.
Urimet e sinqerta erdhën në emër të Mbretit dhe të bashkëshortes së tij. Monarku britanik e përshkroi miqësinë ndërmjet dy vendeve si të afërt dhe të qëndrueshme, të mbështetur në vlera të përbashkëta dhe të forcuar ndër vite përmes partneritetit.
Mesazhi ka edhe një notë personale. Charles III përmendi vizitën e vitit 2016, kur së bashku me bashkëshorten vizitoi në Prizren një ekspozitë me veprat e babait të ndjerë të Presidentes Shiroka Pula.
Në pjesën politike, Mbreti theksoi se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova do të vazhdojnë të punojnë së bashku në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë, në një kohë kur bota përballet me sfida të rëndësishme gjeopolitike dhe klimatike. Ai shprehu dëshirën që gjatë mandatit të Presidentes lidhjet ndërmjet dy vendeve të thellohen më tej, duke i uruar më të mirat asaj dhe popullit të Kosovës.
Kryeqyteti ka marrë dy gjoba nga 5 mijë euro nga Ministria e Mjedisit, ndërsa ministrja Fitore Pacolli e akuzon se nuk po i kryen detyrimet për mbeturinat. Në listën e të gjobiturve janë edhe Istogu dhe kompanitë rajonale në Pejë e Deçan.

