Komandantë dhe ish-ushtarë të UÇK-së u mblodhën në Zonën Operative të Llapit për të ndezur "Zjarrin e Lirisë", duke kërkuar drejtësi dhe lirinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të mbajtur në Hagë.

Flaka u ndez edhe në Zonën Operative të Llapit. Komandantë dhe ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u bashkuan aty për "Zjarrin e Lirisë", pjesë e aktivitetit të quajtur "7 Zona, 7 Zjarre, Një Luftë, Një Kujtesë, Drejtësi", të ideuar nga platforma qytetare "Liria Ka Emër".
Mesazhi i tyre ishte i drejtuar te katër emra: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për të cilët pjesëmarrësit kërkuan drejtësi dhe lirinë e tyre nga Haga.
Nga Llapi, bashkëluftëtarët shprehën besimin e tyre në luftën e drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe ritheksuan se në çdo rrethanë do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të luftëtarëve të lirisë. Sakrifica për lirinë e Kosovës, historia e UÇK-së dhe bashkëluftëtarët, thanë ata, nuk harrohen dhe nuk lihen vetëm.
Aksioni simbolik nuk ndalet këtu: "Zjarri i Lirisë" vazhdon nga njëra zonë operative në tjetrën, duke bashkuar zërin e luftëtarëve dhe qytetarëve në kërkesën për drejtësi.
Kulmimi i nismës është paralajmëruar për më 12 shtator, në orën 14:00, në Sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë, ku organizatorët kanë njoftuar "Marshin për Liri. Për çlirimtarët. Për drejtësinë."

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

