Nuk ka prova se sistemi Pegasus është përdorur në Mal të Zi, por studiuesit kanadezë të Citizen Lab kanë konfirmuar se përdorues të lidhur me operatorë malazezë kanë qenë objektiv i lokalizimit të fshehtë përmes rrjetit ndërkombëtar të telekomunikacionit, nga një aktor i paidentifikuar i etiketuar si STA1.

Ndërsa në Serbi analizat forenzike konfirmuan telefona të infektuar me programin spiun Pegasus, Mali i Zi shfaqet në një hartë tjetër: atë të gjurmimit të fshehtë të vendndodhjes së përdoruesve të telefonave celularë përmes rrjetit ndërkombëtar të telekomunikacionit.
Nuk ka prova se Pegasusi, sistemi i sofistikuar i survejimit të fshehtë të telefonave, është përdorur edhe në Mal të Zi. Por ekziston konfirmimi se përdorues të lidhur me operatorë malazezë të telefonisë mobile kanë qenë objektiv i lokalizimit të fshehtë. Kush u përgjua, mbetet i panjohur: Citizen Lab nuk ka bërë publike për cilin operator malazez bëhet fjalë, sa abonentë ishin në shënjestër, as kur ndodhi gjurmimi.
Disa muaj para zbulimit më të fundit nga Serbia, Citizen Lab publikoi një hulumtim që e vendos Malin e Zi në hartën e një forme tjetër, shumë të sofistikuar survejimi, e cila mori etiketën teknike STA1, Surveillance Threat Actor 1. Shprehja "Surveillance Threat Actor" mund të përkthehet si "aktor kërcënimi i lidhur me survejimin", përkatësisht më thjesht "aktor që kryen survejim".
Me këtë etiketë Citizen Lab nuk emërton një kompani, shtet apo shërbim inteligjence konkret, por shënon teknikisht një aktor të panjohur, sjelljen dhe infrastrukturën e të cilit mund ta ndjekë dhe ta lidhë përmes disa incidenteve. Numri "1" thjesht e dallon këtë grup aktivitetesh nga aktorë të tjerë që studiuesit kanë identifikuar. STA1 nuk është emri i një programi spiun si Pegasusi, as emër organizate, por një shenjë pune për një aktor të paidentifikuar që ka përdorur metoda të sofistikuara telekomunikuese për të ndjekur vendndodhjen e përdoruesve të caktuar. Emrin e tij të vërtetë Citizen Lab nuk e ka bërë publik.
Zbulimi buron nga raporti "Bad Connection", i publikuar më 23 prill 2026, në të cilin studiuesit Gary Miller dhe Swantje Lange analizuan një fushatë shumëvjeçare të gjurmimit të fshehtë të përdoruesve të telefonave mobilë.
Citizen Lab është një laborator hulumtues pranë Munk School of Global Affairs & Public Policy të Universitetit të Torontos, i specializuar për spiunazhin dixhital, sistemet komerciale të survejimit, kërcënimet kibernetike dhe sulmet ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe pjesëtarëve të tjerë të shoqërisë civile. Ekspertët e tij analizojnë telefona, infrastrukturë rrjeti, serverë, të dhëna telekomunikuese dhe gjurmë të tjera dixhitale për të përcaktuar nëse një pajisje apo përdorues ka qenë në shënjestër. Laboratori nuk është polici, as shërbim inteligjence, dhe nuk shet produkte survejimi. Kjo është e rëndësishme kur vjen puna te atribuimi i sulmeve: studiuesit shpesh mund të provojnë me shumë saktësi si është përgjuar dikush, por jo gjithnjë me të njëjtën siguri kush e ka porositur përgjimin.
Rasti serb, që në fillim të shtatorit e rihapi çështjen e teknologjive të sofistikuara spiunuese në Ballkanin Perëndimor, tregon se një telefon mund të kthehet në mjet survejimi pa qenë nevoja që pronari të klikojë asgjë, të hapë ndonjë mesazh të dyshimtë apo të instalojë një aplikacion të panjohur.
Më 2 shtator, Citizen Lab publikoi se me analizë forenzike kishte konfirmuar se iPhone-i i një anëtareje të lëvizjes studentore protestuese në Serbi ishte infektuar me Pegasus, një nga programet spiune komerciale më të fuqishme të njohura. Studentja Jelena Kontić më pas njoftoi publikisht se bëhej fjalë për telefonin e saj. Sipas Citizen Lab, kundër pajisjes u përdor i ashtuquajturi eksploit "zero-click" në iMessage, i lidhur me Pegasusin e NSO Group, që do të thotë se përdoruesja nuk kishte nevojë të klikonte në asnjë link që sulmi të kishte sukses. Gjurmët forenzike të infektimit datojnë nga periudha midis dhjetorit 2025 dhe janarit 2026.
Pegasusin e prodhon kompania izraelite NSO Group. Kur kompromenton me sukses një telefon, ai i mundëson sulmuesit qasje potenciale në mesazhe, fotografi dhe të dhëna të tjera, si dhe ndezjen e mikrofonit dhe të kamerës.
Ndër rastet e njohura më herët është edhe Igor Božić, ish-drejtor programor i N1 Serbi. Në fillim të shtatorit 2026 ai bëri publike se analiza forenzike e telefonit të tij, e kryer nga ekspertë të Amnesty International, tregoi se Pegasusi ishte instaluar në pajisje në gusht 2023, pak para nisjes së fushatës parazgjedhore në Serbi. Sipas Božićit, programi spiun ishte aktiv 13 ditë, derisa ai përditësoi sistemin operativ dhe mbylli kështu dobësinë përmes së cilës telefoni ishte kompromentuar. Ai thotë se për sulmin mësoi vetëm rreth një vit më vonë, pasi kërkoi kontrollin e pajisjes.
Kontić dhe Božić nuk janë të vetmit raste publike. Amnesty International kishte konstatuar më parë se gazetarja hulumtuese e BIRN-it, Jelena Veljković, dhe kolegja e saj, e shënuar në raport me pseudonimin "Bogdana", morën në shkurt të vitit 2025 mesazhe me linqe të lidhura me infrastrukturën e Pegasusit. Te ato dyja nuk u konfirmua infektim i telefonit, por një përpjekje për sulm.
SHARE Fondacija ka njoftuar se nga fillimi i vitit të paktën 14 studentë, aktivistë dhe politikanë opozitarë kanë qenë në shënjestër të llojeve të ndryshme të programeve spiune të avancuara, çka nuk do të thotë se në të 14 rastet është përdorur Pegasusi.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka dhënë dorëheqjen dhe në krye të dikasterit është emëruar Ervin Demo. Është dorëheqja e dytë e një ministri brenda një kohe të shkurtër, pas largimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

