Marinsat amerikanë nuk do të zbresin këtë vit në brigjet koreane: Uashingtoni ka anuluar stërvitjen e madhe amfibe "Ssangyong", të planifikuar për muajin e ardhshëm, sepse forcat e tij janë të angazhuara në luftën kundër Iranit.

Zbarkimi i madh detar që duhej të mbahej muajin e ardhshëm në Korenë e Jugut nuk do të ndodhë. Shtetet e Bashkuara e kanë anuluar stërvitjen e përbashkët amfibe për shkak të kufizimeve në disponueshmërinë e forcave, të shkaktuara nga lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, njoftoi Seuli.
"Korpusi i Marinës i SHBA-së i njoftoi zyrtarisht forcat tona në qershor se aftësia e tij për të vendosur forca gjatë stërvitjes Ssangyong të këtij viti do të ishte e kufizuar për shkak të situatës në Lindjen e Mesme", tha Han Seung-jeon, zëdhënës i Korpusit të Marinës së Koresë së Jugut, në një konferencë për mediat të hënën.
Stërvitjet Ssangyong mbahen çdo dy vjet dhe përfshijnë forcat detare të Koresë së Jugut dhe të Shteteve të Bashkuara. Qëllimi i tyre është forcimi i operacioneve të kombinuara, zakonisht me anije lufte, avionë dhe forca tokësore që provojnë zbarkime amfibe. Sipas zëdhënësit, Seuli dhe Uashingtoni po vazhdojnë konsultimet për rinisjen e stërvitjes amfibe, pa dhënë detaje. Pentagoni nuk ka reaguar menjëherë.
Anulimi vjen pas urdhrit të papritur të presidentit amerikan Donald Trump javën e kaluar për të reduktuar një stërvitje tjetër vjetore të përbashkët, e cila përfundoi të premten e kaluar. Trump përmendi koston dhe refuzimin e Seulit për të marrë pjesë në luftën kundër Iranit. Stërvitjet vjetore Ulchi Freedom Shield u shkurtuan nga 11 ditë në pesë.
Njëkohësisht, Trump është përpjekur të ringjallë marrëdhënien që zhvilloi me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë mandatit të tij të parë. Në platformën e tij Truth Social ai shkroi javën e kaluar se stërvitjet Ulchi Freedom Shield dërgonin "një sinjal që ishte krejtësisht i papërshtatshëm dhe armiqësor, ndaj një Vendi që, për sa kohë Donald J. Trump ka qenë President, ka qenë jokërcënues dhe respektues".
Reduktimi nuk e zbuti Phenianin. Koreja e Veriut lëshoi javën e kaluar 10 raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe nxori një deklaratë ku i dënonte stërvitjet, të cilat prej kohësh i cilëson si prova për pushtim.
Presidenti amerikan tha gjithashtu javën e kaluar se ishte e rëndësishme të "shkohej mirë" me Kimin, duke shtuar se Phenianit tani i takojnë 57 armë bërthamore "shumë të fuqishme". Seuli vlerëson se Koreja e Veriut ka nga 80 deri në 120 armë të tilla.
Trump është takuar tri herë me Kimin gjatë mandatit të tij të parë, por Pheniani e përshpejtoi programin bërthamor pasi samiti i tyre i dytë në Hanoi, në vitin 2019, dështoi pa marrëveshje për çbërthamorizimin e Koresë së Veriut.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

