Nëse deri më 5 tetor nuk zgjidhet presidenti i ri, Kosova rrezikon të mbetet pa shefin e shtetit dhe të hyjë në një bllokadë të re institucionale. Dy hulumtues të njohur paralajmërojnë pasoja për sigurinë kombëtare, financat dhe diplomacinë.

Data 5 tetor është kthyer në afatin që po e mban peng jetën institucionale të Kosovës. Nëse deri atëherë Kuvendi nuk arrin kuorumin e nevojshëm për të zgjedhur shefin e shtetit, vendi mbetet edhe pa president, ndërsa njohësit e politikës kërkojnë që partitë të vendosin sa më shpejt: ose kompromis për presidentin, ose shpallje e zgjedhjeve të reja.
Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, e quan skenarin e mospërmbushjes së afatit të papranueshëm. "Kjo zgjedhje e këtij presidenti duhet të bëhet para datës 4-5 tetor. Në rast se nuk ndodh kjo, kjo është situatë e paprecedentë, e rrezikshme, sepse cenon sigurinë kombëtare të Kosovës. Për herë të parë ndodh që një shtet në Bashkimin Evropian të funksionojë pa asnjë titullar....", ka thënë ai.
Edhe Naim Jakaj, hulumtues i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi, kërkon zgjidhje të shpejtë përmes votës së qytetarëve. "Kur ky debat të shterrohet, Kosova le të shkojë në zgjedhje dhe u.d. e presidentes të caktojë një datë sa më shpejt për mbajtjen e zgjedhjeve, në mënyrë që deri para datës 5 tetor ta kemi një Kuvend të ri, qeveri të re dhe një president që është legjitim dhe legal, që votohet nga Kuvendi i Kosovës. Në këso rrethanash, pas datës 5 tetor ne shkojmë në anarki kushtetuese, nuk do të ketë as kush t'i thërrasë partitë për konsensus", ka deklaruar Jakaj.
Kostoja e ngërçit, sipas tij, tashmë po ndihet. Zvarritja e formimit të institucioneve i ka humbur Kosovës dhjetëra miliona euro nga Plani i Rritjes, ndërsa bllokada e mëtejshme vlerësohet se do ta dëmtojë edhe më shumë vendin. "Ndërkohë pasojat do të jenë të rënda, siç e përmenda. Financat nga plani i rritjes, financat nga plani i brendshëm, çështjet që lidhen me diplomacinë, shërbimin e jashtëm, me lobimin e Kosovës për aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera, veçanërisht në Bashkimin Evropian", ka shtuar ai.
Aritmetika në Kuvend mbetet e ngushtë. Lëvizjes Vetëvendosje i duhen edhe 6 vota për ta zgjedhur presidentin e ri, ndërsa Partia Demokratike, Aleanca dhe 6 deputetë të LDK-së janë deklaruar se nuk do të ofrojnë kontribut në këtë drejtim.
Pa një marrëveshje mes partive, thonë njohësit e fushës, çdo ditë e humbur para tetorit shndërrohet në pasoja të reja politike dhe institucionale për vendin.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

