Në 14 nga 45 dosje të dhunës në familje nuk u gjet asnjë njoftim me shkrim për Prokurorinë, sipas një raporti të IPK-së të publikuar në janar. Dhjetë muaj më vonë, një grua u vra tri ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje nga Policia.

Vlerësime rreziku të paplotësuara, njoftime për Prokurorinë që mbeteshin vetëm me gojë dhe intervista me shumë pak pyetje. Këto ishin disa nga mangësitë që Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) kishte gjetur në mënyrën si Policia e Kosovës i trajton rastet e dhunës në familje, shumë muaj para se A.Z. të vritej, tri ditë pasi kishte bërë denoncim në Polici.
Gjetjet janë pjesë e Raportit të Inspektimit nr. 09/2025, me titull "Trajtimi i dhunës në familje nga Policia e Kosovës". Raporti u përfundua më 30 dhjetor 2025 dhe u bë publik më 19 janar 2026. Ishte një inspektim i rregullt, që shqyrtoi reagimin policor, hetimin e rasteve, monitorimin e urdhrave mbrojtës dhe mënyrën si veprimet regjistroheshin në dosje.
IPK siguroi 49 dosje dhe kontrolloi 45 prej tyre. Gjetja më e rëndë lidhej me sigurinë e vetë viktimave. "Vlerësimi i rrezikut për viktimat nuk është realizuar në të gjitha rastet, në disa prej tyre po ashtu nuk është kryer sipas formës standarde të paraparë, që përmban indikatorët mbi të cilët kryhet vlerësimi", shkruhet në faqen 15 të raportit. Në shtatë nga 45 rastet, vlerësimi nuk ishte bërë sipas formularit standard, i cili duhet të përmbledhë deklarimet e palëve, kërcënimet, lëndimet, frikën dhe gjendjen emocionale të viktimës.
Shifrat e tjera nuk ishin më pak shqetësuese. Në 14 dosje nuk u gjet njoftimi me shkrim për Prokurorinë brenda afatit prej 72 orësh, ndërsa në disa raste, sipas IPK-së, dyshimi për vepër penale i ishte përcjellë prokurorit vetëm gojarisht. Në gjashtë dosje mungonte raporti ditor i trajtimit të rastit, ndërsa në 11 të tjera nuk kishte asnjë dokument që viktimës i ishte dhënë paketa informuese për të drejtat dhe shërbimet që i takojnë. Inspektorati vërejti edhe se disa stacione policore nuk kishin ekipe plotësisht funksionale për hetimin e dhunës në familje, me vende pune ende të paplotësuara.
Në intervistimin e viktimave, IPK kërkoi më shumë pyetje dhe përfshirjen e dëshmitarëve të tjerë, në konsultim me Prokurorinë. Rekomandimet e raportit ishin të qarta: intervista më të mira, dokumentim i rregullt, ekipe funksionale dhe respektim i zinxhirit komandues.
Rasti i A.Z. ngre pyetje pikërisht mbi këto pika. Ajo u paraqit në Polici më 22 tetor 2026. Intervista e saj zgjati një orë e një minutë, por në procesverbal janë shënuar vetëm dy pyetje të drejtpërdrejta për rastin. Aty nuk figurojnë pyetje për rrethanat e kërcënimit, nëse ajo kishte frikë nga personi që akuzonte apo nëse ai e kishte kërcënuar edhe më parë. Nuk përjashtohet që Policia të ketë mbledhur informacione të tjera që nuk janë dokumentuar.
Të nesërmen, më 23 tetor, hetuesit policorë i dërguan Prokurorisë Themelore në Pejë një raport, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, ku përshkruhej kërcënimi që gruaja ia atribuonte kunatit të saj, A.S. Sipas atij raporti, prokurorja kujdestare udhëzoi që shkresat të mbeteshin shënim zyrtar derisa të siguroheshin pamjet e kamerave dhe të kërkoheshin udhëzime të tjera. Pra, në këtë rast Prokuroria ishte njoftuar; mbetet e paqartë si u trajtua informacioni dhe çfarë hapash u ndërmorën më pas.
Më 29 tetor, IPK publikoi gjetjet paraprake të një hetimi të veçantë për rastet që A.Z. kishte raportuar në Polici. Sipas tyre, Policia nuk kishte dokumentuar ekzekutimin e një urdhri mbrojtës të lëshuar në shtator. Një urdhër tjetër mbrojtës, i datës 16 tetor, ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë, më 22 tetor, ditën kur ajo bëri denoncimin. Gjetjet paraprake tregojnë gjithashtu se zinxhiri komandues nuk e kishte trajtuar një email të 23 tetorit, me të cilin një hetues kërkonte vlerësimin e rastit.
Gjithsesi, inspektimi i janarit nuk e përfshiu drejtpërdrejt Stacionin Policor në Pejë. Për këtë arsye, gjetjet e atij raporti nuk mund të lexohen si konstatime të IPK-së për rastin konkret, por si një paralajmërim i përgjithshëm që, muaj më vonë, i ngjan shumë asaj që hetimi i veçantë po zbulon.
Dy pushkë Kallashnikov, 1.000 euro copa: kështu dyshohet se po planifikonin të armatoseshin dy të rinj nga Unna dhe Hagen. I pari është në paraburgim, i dyti, me shtetësi gjermane dhe kosovare, mbetet nën dyshim, por mund të lirohet së shpejti.

