Kuvendi i Kosovës u kthye në sallë vetëm për një pikë: zgjedhjen e pesë nënkryetarëve. Pas konsultimeve, kryetarja Albulena Haxhiu njoftoi se nuk ka dakordim për votim në pako, ndaj procedohet emër pas emri. Deputetët e Aleancës nuk u ulën fare në karrige.

Seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit të Kosovës u rikthye me një pikë të vetme në rend të ditës: zgjedhjen e nënkryetarëve. Pas konsultimit me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se mënyra e votimit është vendosur, por jo ajo që kërkonin partitë.
"Meqë nuk ka dakordim për votim në pako, shkojmë me votimin veç e veç", tha Haxhiu.
Në një shpjegim më të gjerë para deputetëve, ajo u ndal te propozimet e paraqitura që në seancën e mëparshme: "Duke qenë që nuk ka një dakordim për votim në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, atëherë forma e vetme është votimi veç e veç, propozimet i kemi marrë në seancën e kaluar për votim veç e veç, ishin të gjitha grupet parlamentare pra të kandidatëve për nënkryetarë, prandaj duhet të vazhdojmë". Sipas saj, gjatë konsultimeve "në pyetjen a janë dakord të gjithë për votim veç e veç, përgjigjja ishte që do të donin në pako, por se do të shkojnë veç e veç".
Në sallë ishte e pranishme shumica e deputetëve, por jo të gjithë. Aleanca, partia që udhëhiqet nga Ardian Gjini, nuk mori pjesë në vazhdimin e seancës, ashtu siç kishte paralajmëruar. Zyrtarë të kësaj partie kishin deklaruar më herët se nuk bëhen pjesë e shkeljeve kushtetuese, duke argumentuar se afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit janë tejkaluar dhe se mandatet e deputetëve tashmë janë të djegura.
Vazhdimi i seancës erdhi pas ndërprerjes së 9 shtatorit, kur procesi u bllokua pikërisht te zgjedhja e nënkryetarëve. Të mërkurën deputetët e rizgjodhën Haxhiun kryetare të Kuvendit, por puna u shty menjëherë pas mospajtimeve për pesë postet e nënkryetarëve. Përveç mënyrës së votimit, në pako apo ndaras, një arsye tjetër e shtyrjes ishte shprehja "në emër të popullit serb", e përdorur nga deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, kur propozoi një bashkëpartiak të tij për postin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Haxhiu dhe Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje kanë theksuar se nuk ka pajtim mes partive as për dy emrat e tjerë të propozuar: Vlora Çitaku e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Seanca u rihap me një minutë heshtje për viktimat e 11 Shtatorit. Kuvendi del nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit dhe mbetet i pakonstituuar plotësisht derisa të votohen të pesë nënkryetarët.

Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi themelimin e ndërmarrjes publike lokale "Pastrimi". Kryetari Përparim Rama akuzoi Vetëvendosjen për "sabotim", ndërsa opozita pretendon se pas projektit fshihet hapja e rrugës për operatorë privatë.

