Beogradi e ka pranuar zyrtarisht se nuk votoi për rezolutën e re të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për hartën botërore, sepse projeksioni që promovohet e vizaton Kosovën si shtet më vete.

Arsyeja e heshtjes së Serbisë në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara tani është zyrtare: Kosova. Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka shpjeguar, në një përgjigje për BBC-në në gjuhën serbe, se abstenimi i Beogradit ndaj rezolutës për hartën e re të botës lidhet drejtpërdrejt me faktin se në atë hartë Kosova paraqitet si shtet i veçantë.
"Rezoluta e propozuar korrigjon një padrejtësi historike, por përdor projeksionin Equal Earth, i cili e paraqet Kosovën si shtet më vete. Kjo është në kundërshtim me rendin tonë kushtetues dhe interesat kombëtare dhe nuk mund të mbështetet as në mënyrë indirekte", thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme serbe.
Sipas qëndrimit të Beogradit, një votë pro do të mund të lexohej si përkrahje politike për pavarësinë e Kosovës. "Mbështetja e një propozimi të tillë mund të keqpërdoret ose interpretohet si mbështetje për pavarësinë e njëanshme të Kosovës", vlerëson ministria serbe.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e miratoi këtë javë rezolutën "Correct the Map", me një shumicë dërrmuese prej 164 votash pro. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin i vetmi vend që votoi kundër, ndërsa gjashtë shtete abstenuan: Serbia, Estonia, Gjeorgjia, Lituania, Moldavia dhe Ukraina.
Në thelb, rezoluta nuk është dokument politik për kufijtë, por për proporcionet. Ajo synon të korrigjojë shtrembërimet e projeksionit tradicional Mercator, i cili i paraqet sipërfaqet afër poleve shumë më të mëdha se ato pranë ekuatorit, duke e bërë kontinentin afrikan të duket dukshëm më i vogël sesa është në raport me kontinentet dhe vendet e tjera. Projeksioni "Equal Earth", i zhvilluar në vitin 2018, synon ta ruajë më saktë raportin mes sipërfaqeve të kontinenteve dhe shteteve.
Rezoluta nuk e ndalon përdorimin e hartës Mercator dhe as nuk e bën të detyrueshme hartën e re. Ajo u bën thirrje qeverive, institucioneve arsimore, organizatave ndërkombëtare dhe kompanive teknologjike që të përdorin projeksione të cilat paraqesin më saktë madhësinë relative të rajoneve të botës.
Nisma u udhëhoq nga Togo, në emër të Grupit Afrikan në OKB, dhe mori mbështetje të gjerë nga vendet anëtare. Togo e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2014, ndërsa Serbia ka pretenduar se ky shtet afrikan e ka tërhequr njohjen në vitin 2019, pretendim që mbetet i pakonfirmuar.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka dhënë dorëheqjen dhe në krye të dikasterit është emëruar Ervin Demo. Është dorëheqja e dytë e një ministri brenda një kohe të shkurtër, pas largimit të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala.

