Flakët kanë përfshirë fshatrat Kutlloc dhe Bajgorë të Mitrovicës. Kryetari i komunës thotë se zjarrfikësit dhe vullnetarët po punojnë me të gjitha kapacitetet për të vënë situatën nën kontroll.

Zjarre kanë shpërthyer në dy fshatra të komunës së Mitrovicës, ndërsa ekipet e emergjencës punojnë në terren për t'i vënë flakët nën kontroll.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Faton Peci, njoftoi se vatrat e zjarrit janë në fshatrat Kutlloc dhe Bajgorë dhe se reagimi ka qenë i shpejtë.
"Aktualisht po përballemi me zjarre në fshatrat Kutlloc dhe Bajgorë. Ndërhyrja për shuarjen e zjarrit ka qenë e menjëhershme. Bashkë me ekipet përgjegjëse, zjarrfikësit dhe ekipin e vullnetarëve, jemi në terren dhe po punojmë me të gjitha kapacitetet për ta vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në zonat tjera", shkroi Peci.
Ai u bëri thirrje qytetarëve për vëmendje të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta. "Apelojmë te të gjithë qytetarët për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, duke shmangur njëkohësisht çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr", tha ai.
Peci ftoi banorët të lajmërojnë menjëherë ekipet përgjegjëse në rast se vërejnë ndonjë vatër të re: "Në rast se vëreni ndonjë vatër zjarri apo situatë që mund të rrezikojë përhapjen e tij, ju lutemi të njoftoni menjëherë ekipet përgjegjëse në numrin: +383 28 530 129".
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

