Policia e Kosovës del me sqarim publik ndaj shkrimeve se vendi po "blindohet" në prag të vendimit të Hagës më 16 shtator dhe thotë se bëhet fjalë për procedura të rregullta policore, duke mos përjashtuar megjithatë tentativa provokimesh, përfshirë nga jashtë vendit.

Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim publik për të hedhur poshtë interpretimin se vendi po "blindohet" në prag të vendimit të Hagës më 16 shtator. Sipas institucionit, masat e sigurisë që po planifikohen nuk janë shenjë e një gjendjeje të jashtëzakonshme, por praktikë e zakonshme sa herë pritet pjesëmarrje e madhe e qytetarëve.
Reagimi u shkaktua nga shkrime që qarkulluan në disa portale, ku pretendohej se ishte mësuar edhe plani i Policisë për 16 shtatorin. "Policia e Kosovës, në funksion të informimit të saktë dhe parandalimit të ndonjë keqinformimi të mundshëm të opinionit, përmes shkrimeve të cilat po qarkullojnë në disa portale të ndryshme ku shkruhet se kinse Kosova "blindohet" në prag të vendimit të Hagës, mësohet plani i Policisë për 16 shtatorin, sqaron se:", thuhet në hyrje të njoftimit.
Në vijim, institucioni e vendos çështjen në kuadrin e procedurave rutinë: "Me qëllim të njoftimit të drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por edhe më gjerë, ju bëjmë me dije se planifikimi dhe ndërmarrja e masave të sigurisë në raste kur pritet të ketë zhvillime, aktivitete, apo pjesëmarrje të madhe të qytetarëve, hartimi i planeve policore janë pjesë e procedurave të rregullta policore."
Si shembull, Policia sjell një rast të mëhershëm: "Në raste të tilla, sikurse edhe në rastin e marshit solidarizues paqësor të datës 12 shtator 2026, dhe në tubime apo aktivitete të ndryshme, masat planifikohen në funksion të menaxhimit të sigurt të tubimeve, ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, qarkullimit të trafikut rrugor si dhe garantimit të mbarëvajtjes së aktiviteteve."
Sqarimi nuk mbetet vetëm te qetësimi i opinionit. Policia pranon se në vlerësimet e saj llogaritet edhe një skenar tjetër: "Në kuadër të vlerësimeve dhe planifikimeve policore merret parasysh edhe mundësia që individë apo elemente të caktuara, përfshirë edhe nga jashtë vendit, të tentojnë të shfrytëzojnë grumbullimet e mëdha për provokime, incidente apo veprime destabilizuese." Pikërisht për këtë arsye, thotë institucioni, niveli i masave ndryshon nga rasti në rast: "Këto janë masa parandaluese dhe standarde, të cilat aplikohen varësisht nga numri i pritshëm i pjesëmarrësve dhe vlerësimi i përgjithshëm të situatës."
Njoftimi mbyllet me një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj publikut dhe redaksive: "Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve dhe mediave që të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, veçanërisht kur ato mund të ndikojnë në perceptimin e sigurisë dhe të krijojnë shqetësim të panevojshëm në opinion."
Përmbajtja e vendimit që pritet nga Haga nuk është sqaruar në njoftimin e Policisë, e cila as nuk i identifikon portalet që publikuan shkrimet e kontestuara dhe as nuk jep detaje për numrin e pritur të pjesëmarrësve apo për masat konkrete që do të zbatohen.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

