Hajdutët goditën një shtëpi në Leposaviq ndërsa pronari mungonte, duke marrë mijëra euro, dinarë dhe dy zinxhirë ari. Policia identifikoi katër të dyshuar dhe vuri prangat për tre prej tyre.

Një shtëpi bosh në Leposaviq u bë shesh vjedhjeje: person ose persona të panjohur depërtuan brenda dhe morën 12,000 euro, 40,000 dinarë dhe dy zinxhirë ari, në një kohë kur në banesë nuk ndodhej askush.
Rasti u raportua dje në stacionin policor të Leposaviqit, i klasifikuar si "Vjedhje e rëndë". Sipas deklarimit të pronarit të shtëpisë, që njëkohësisht është ankuesi, ai zbuloi vjedhjen pas kthimit në banesën e tij.
Hetimi kaloi për trajtim tek Njësia Rajonale e Hetimeve në Mitrovicën e Veriut. Sipas policisë, brenda një kohe të shkurtër u arritën të identifikoheshin katër persona të dyshuar në lidhje me rastin. Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa i katërti vazhdon të jetë në kërkim.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë realizuar kontrolle në adresat e banimit të të arrestuarve. Njëri prej tyre, i identifikuar me inicialet N.V., i lindur në vitin 2006, u arrestua në fshatin Borovë të Leposaviqit, ku gjatë kontrollit u gjet një fishek pistolete. Një tjetër, N.L., i lindur në vitin 2007, u arrestua në Leshak të Leposaviqit; tek ai u gjetën 5,300 euro, të cilat sipas policisë dyshohet se janë para të përfituara nga vjedhja.
Të dy këta, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje 48-orëshe. Personi i tretë i arrestuar, i identifikuar me inicialet D.M. dhe i lindur në vitin 2009, është liruar në procedurë të rregullt.
Policia thekson se raste të tilla ndodhin më së shpeshti kur pronarët mungojnë dhe shtëpitë mbeten pa mbikëqyrje, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar kur largohen nga banesat. "Policia mbetet e përkushtuar që personat që kryejnë vepra penale të arrestohen dhe të sillen para organeve të drejtësisë", theksohet në njoftimin e policisë, e cila fton qytetarët të raportojnë çdo rast të dyshimtë në numrin 192.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

