Një vjedhje gjatë natës në stacionin e pompave në Pusi Atit nxori nga funksioni dy pompa uji, duke rrezikuar furnizimin në qytetin e Suharekës dhe në gjashtë zona përreth.

Një vjedhje e trafostacionit që ushqente me energji dy pompa uji ka lënë Suharekën përballë kufizimeve në furnizimin me ujë. Sipas njoftimit të kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, gjatë natës së kaluar, në Stacionin e Pompave në Pusi Atit, trafostacioni elektrik u demolua dhe u vodh.
Si pasojë e dëmtimit, dy pompat kanë mbetur jashtë funksionit. Kryetari paralajmëroi se mund të ketë kufizim të furnizimit me ujë në qytet dhe në disa fshatra, deri në gjetjen e një zgjidhjeje për sanimin e dëmit dhe rikthimin e pompave në punë.
Zonat që mund të preken janë Gelanca, Gjinoci, Leshani, Terrnja, Nepërbishti dhe Shiroka.
Muharremaj sqaroi se përgjegjësia për ujin nuk qëndron te komuna. "Theksojmë se Komuna e Suharekës nuk ka kompetencë direkte në menaxhimin e furnizimit me ujë, pasi kjo përgjegjësi i takon Hidroregjionit Jugor", tha ai, duke shtuar se komuna u informua zyrtarisht për situatën nga vetë Hidroregjioni Jugor.
"Megjithatë, meqë kemi pranuar njoftim zyrtar për këtë situatë, e konsiderojmë të rëndësishme që qytetarët të informohen me kohë dhe në mënyrë transparente", tha kryetari.
Ai premtoi ndjekje të afërt të zhvillimeve: "Komuna do ta përcjellë situatën nga afër dhe, brenda kompetencave të saj, do të ofrojë bashkëpunimin e nevojshëm për tejkalimin sa më të shpejtë të kësaj situate."
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

