Pas një rruge që kaloi nga Apeli te Supremja dhe u kthye sërish në Themelore, Valon Lluka nuk është më në paraburgim. Gjyqtarja e procedurës paraprake ia zëvendësoi masën me dorëzani, njoftoi mbrojtja e tij.

Valon Lluka është liruar nga paraburgimi. Gjyqtarja e procedurës paraprake e Gjykatës Themelore në Prishtinë vendosi sot që masa ndaj tij të zëvendësohet me dorëzani, sipas njoftimit të mbrojtjes.
Lajmin e bëri publik avokati i tij mbrojtës, Driton Muharremi, së bashku me Pro Juris, përmes një postimi në Facebook. "Në cilësinë e avokatit mbrojtës të z. Valon Lluka, dhe për hir të informimit të drejtë të publikut, ju njoftoj se sot, me vendim të gjyqtares së procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, z. Valon Lluka është liruar nga paraburgimi, duke iu zëvendësuar kjo masë me dorëzani", shkruan Muharremi.
Sipas mbrojtjes, lirimi erdhi në fund të një beteje procedurale në tri shkallë. Gjykata e Apelit kishte vlerësuar fillimisht si të pabazuara pretendimet për rrezikun e ikjes dhe të përsëritjes së veprës penale. Më pas, Gjykata Supreme e aprovoi si të bazuar kërkesën e mbrojtjes për sa i përket rrezikut të pretenduar të ndikimit në dëshmitarë dhe të asgjësimit të provave, dhe e ktheu çështjen për rivendosje.
Pikërisht pas këtij vendimi të Supremes, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi lirimin e Llukës me masën e dorëzanisë. Vepra penale për të cilën ai ishte mbajtur në paraburgim dhe shuma e dorëzanisë nuk janë bërë publike.
Gruaja që ka qenë prokurore në dosjen e vrasjes së Donjeta Pajazitajt tani drejton Prokurorinë Themelore të Pejës. Vëllai i viktimës thotë se emërimi ia thellon mosbesimin ndaj drejtësisë, ndërsa rasti i motrës, sipas tij, pret epilog prej 11 vjetësh.

