Gruaja që ka qenë prokurore në dosjen e vrasjes së Donjeta Pajazitajt tani drejton Prokurorinë Themelore të Pejës. Vëllai i viktimës thotë se emërimi ia thellon mosbesimin ndaj drejtësisë, ndërsa rasti i motrës, sipas tij, pret epilog prej 11 vjetësh.

Prokurorja që ka mbajtur dosjen e vrasjes së Donjeta Pajazitajt tani ndodhet në krye të Prokurorisë Themelore të Pejës. Valbona Dishaj-Haxhosaj është caktuar ushtruese e detyrës së kryeprokurores, dhe vendimi ka shkaktuar menjëherë revoltën e familjes së viktimës.
Emërimi erdhi pas suspendimit të kryeprokurores Lumturije Vuçetaj. Masa ndaj saj u mor pas lëshimeve dhe dështimeve institucionale në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, gruas që u vra nga ish-kunati i saj.
Shkëlqim Pajazitaj, vëllai i Donjetës, e kundërshtoi ashpër vendimin përmes një reagimi në Facebook. Ai kujton se Dishaj-Haxhosaj ishte prokurore pikërisht në dosjen e motrës së tij, një rast që edhe shumë vite pas vrasjes nuk ka marrë drejtësi përfundimtare.
"Në vend që të bëhet thirrje për #Drejtësi, ky vendim po e thellon edhe më shumë mosbesimin tim ndaj sistemit të drejtësisë! Si është e mundur që Valbona Disha Haxhosaj të emërohet në krye të prokurorisë, ndërsa rasti i motrës sime, Donjeta Pajazitaj, edhe pas 11 vjetësh ende nuk ka marrë një epilog përfundimtar?", shkroi Pajazitaj.
Ai ngre pyetjen se kush mban përgjegjësi për vitet e humbura dhe u drejtohet institucioneve me kërkesa konkrete: "Kush do të japë përgjigje për këto vite pritjeje? Kush do të mbajë përgjegjësi për mënyrën se si është trajtuar rasti i Donjetës? Kërkoj transparencë, llogaridhënie dhe sqarime konkrete nga institucionet përkatëse. Familja ime ka të drejtë të dijë se çfarë ka ndodhur me rastin e motrës sime."
Dy gardianë kosovarë, të dërguar në Danimarkë për t'u përgatitur për burgun me qira të Gjilanit, dyshohen se kanë goditur me grushte një të burgosur brenda qelisë së tij. Shërbimi Korrektues danez paralajmëron rishikimin e programit të trajnimit.

