Pas njoftimit të tarifës amerikane prej 50 për qind mbi automjetet, pjesët e makinave dhe çelikun nga Kanadaja, presidenti Donald Trump paralajmëron pasoja edhe më të rënda nëse Otava nuk tërhiqet. Kryeministri Mark Carney përgjigjet se Kanadaja nuk është "një filial i SHBA-së".

Konflikti tregtar mes Uashingtonit dhe Otavës ka kaluar në një fazë të hapur kërcënimesh. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se Kanadaja do të përballet me pasoja shumë më të rënda se tarifa doganore prej 50 për qind, nëse nuk u nënshtrohet kërkesave të tij.
Të hënën, Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e një tarife prej 50 për qind mbi automjetet, pjesët e automjeteve dhe çelikun që vijnë nga Kanadaja. Ende gjatë fundjavës, kryeministri kanadez Mark Carney kishte bërë të qartë se vendi i tij do të përgjigjej me të njëjtën monedhë. Ky qëndrim e ka acaruar ndjeshëm presidentin amerikan.
"Dikush duhet t'i bëjë këta klounë të tërhiqen, përndryshe pasojat për Kanadanë do të jenë shumë më të KËQIJA!", shkroi Trump në rrjetin Truth Social. Ai vazhdoi: "SHBA-ja do të jetë gjithmonë shumë më e madhe, më e pasur dhe më e fortë se Kanadaja. Pa SHBA-në, Kanadaja nuk do të mund të mbijetonte."
Sipas Carneyt, deklaratat e Trumpit vërtetojnë frikën e Kanadasë se Uashingtoni po përpiqet ta shuajë industrinë kanadeze të automjeteve. Prodhues amerikanë si Ford dhe General Motors kanë fabrika të mëdha prodhimi në Ontario, provincën që do të ishte e para e goditur nga një tarifë e tillë.
Kryeministri kanadez thekson se vendi i tij është i gatshëm të negociojë, por vetëm nëse Shtetet e Bashkuara respektojnë sovranitetin e tij. "Një qëndrim në tryezën e negociatave se Kanadaja është një filial i SHBA-së nuk është diçka që ne do ta pranojmë", tha Carney.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u kërkoi asamblistëve votën për dhënien në shfrytëzim të "Tulltores" për 50 vjet, duke insistuar se toka nuk falet dhe se komuna do të përfitojë mbi 50 milionë euro gjatë kësaj periudhe.

