Ndërmarrja publike “Trepça” ka rikthyer nën kontrollin e saj dy objekte të tjera në Mitrovicën e Veriut, pjesë e një vale aksionesh që brenda dy javësh ka sjellë rreth pesë lokale dhe një parking mbi 1600 metra katrorë.

Dy objekte të tjera në Mitrovicën e Veriut kanë kaluar këtë të premte nën posedimin e ndërmarrjes publike “Trepça”. Njëri prej tyre ishte shfrytëzuar nga Shoqata e Pensionistëve, ndërsa tjetri funksiononte si kafiteri në shëtitoren e qytetit.
Marrja e këtyre dy hapësirave është vazhdim i një procesi më të gjerë. Javën e kaluar, ndërmarrjes iu kthye edhe një objekt që shfrytëzohej nga ish-Banka Komerciale në Zveçan, ndërsa më herët ishin rikthyer prona, objekte dhe parcela të tjera në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe në pjesë të tjera të veriut.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të “Trepçës”, Faton Ahmeti, ka konfirmuar se aksionet për identifikimin dhe kthimin e pronave që janë shfrytëzuar pa dokumentacion valid po vazhdojnë. “Ne kemi edhe disa parcela të tjera që jemi duke i inkuadruar në pjesën e ndërmarrjes. Janë edhe disa objekte që ne ndërkohë jemi duke i gjetur, për arsye që s’kemi pasur informacione më herët. Edhe në këtë rast është pjesa e postës, e një barnatoreje dhe ish-banka e strukturave që ka qenë. Ne po i kryejmë punët tona në bazë të autorizimeve, duke mbrojtur pasurinë e ndërmarrjes dhe kthimin e saj tek pronari”, tha ai.
Sipas Ahmetit, para çdo ndërhyrjeje ndiqen procedurat e paralajmërimit dhe shfrytëzuesve u lihet kohë për të paraqitur dokumentacionin e pronësisë. “Para se të lirohet ajo pronë, ne zakonisht i bëjmë disa njoftime në dyert e hyrjeve. Nëse ata kanë ndonjë dokument që ne nuk e kemi, u japim hapësirë prej disa ditësh me e sjellë. Për shembull, ka pasur rast kur na kanë sjellë kontratën e shitblerjes apo fletën poseduese dhe ne atëherë nuk marrim asnjë masë. Në rastet kur nuk sjellin asnjë dokument që dëshmon se prona është e tyre, atëherë marrim masat tona për lirimin e saj”, sqaroi ai.
Pas skadimit të afateve të paralajmërimit, gjithnjë sipas tij, njoftohet policia, por vetëm për prani gjatë intervenimit për hapjen e lokalit, ndërsa vetë aksioni kryhet nga zyrtarët e ndërmarrjes.
Të dhënat për pronat në veri, tha Ahmeti, mblidhen në mënyrë kronologjike përmes një task-force të organizuar nga vetë ndërmarrja. “Vetëm në këto dy javë bëhet fjalë për diku afërsisht pesë lokale që i kemi kthyer, dhe një parking të madh me disa garazha, mbi 1600 metra katrorë. Këtu nuk jemi shumë, s’kemi shumë informacione, por ndërkohë kur e marrim një informacion se diçka është e jona, kemi një task-force të organizuar, bëjmë koordinim me Administratën Tatimore dhe Inspektoratin Komunal, i marrim informacionet dhe fillojmë deri te kthimi i pronës”, theksoi ai.
Aksioni për lirimin e objekteve në veri të Kosovës ka nisur më herët, por është intensifikuar në mesin e gushtit. Më 12 gusht u vendosën njoftimet e para për lirimin e hapësirave në ish-Postë, në ish-Bankën Komerciale në Zveçan dhe në një barnatore që atëherë ishte ende në funksion. Njoftime të ngjashme pasuan edhe në Shtëpinë e Pensionistëve dhe në kafenenë e shëtitores së Mitrovicës së Veriut, të dyja objekte që tani kanë kaluar në pronësi të “Trepçës”.
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan 40 miliardë euro investime të reja në Gjermani, shumë që më shumë se dyfishon paratë e derdhura deri tani nga shteti i Gjirit në ekonominë gjermane.

