Zjarri në krevatin e motrës dhe një sulm me mjet të fortë ndaj nënës në të njëjtën shtëpi kanë përfunduar me një viktimë. I dyshuari, vëllai i të ndjerës, është arrestuar dhe, për shkak të gjendjes së rëndë psikike, është vendosur në repartin e psikiatrisë në Pejë nën mbikëqyrje policore.

Një grua ka ndërruar jetë pas lëndimeve që pësoi nga zjarri i vënë krevatit në të cilin po qëndronte, në fshatin Poterq të Pejës. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur mbrëmë, ndërsa vdekja e viktimës u konfirmua një ditë më vonë.
Stacioni policor në Klinë është njoftuar se një person me probleme të shëndetit mendor i kishte vënë fillimisht zjarrin krevatit ku ndodhej motra e tij, e më pas, në dhomën tjetër, kishte sulmuar me mjet të fortë nënën e vet. Sipas policisë, të dyja gratë pësuan lëndime të rënda trupore.
Njësitë policore që mbërritën në vendngjarje arrestuan të dyshuarin. Viktimat u dërguan së pari në spitalin e Pejës, por për shkak të natyrës së lëndimeve u transferuan në Klinikën Universitare në Prishtinë. Sot, policia u njoftua se vajza që pati lëndime nga zjarri nuk kishte mundur t'u mbijetonte plagëve.
Ndaj të dyshuarit, me vendim të prokurorit të shtetit, është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh. "Personit të dyshuar, me vendim të prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, mirëpo për shkak të gjendjes së rëndë psikike, është vendosur në spitalin rajonal të Pejës, në repartin e psikiatrisë, në përkujdesje të personelit mjekësor, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë", thuhet në njoftimin policor.
Gjendja e nënës, e cila u sulmua me mjet të fortë, nuk është bërë e ditur. Identitetet e të dyshuarit dhe të viktimave nuk janë publikuar.
Pushime të ndërprera, togje rezervë nga gjashtë qytete, patrulla para ambasadave dhe një ekip zjarrfikësish në parkingun e EULEX-it: plani operacional i Policisë së Kosovës për ditën kur Dhomat e Specializuara pritet të shpallin aktgjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

